Lajme

Policia e Tiranës mbi 8 mijë gjoba gjatë javës për shkelje rrugore

Policia Rrugore e Tiranës, njofton se po vijojnë kontrollet e shtuara në të gjitha akset rrugore, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, në kryeqytet.

Gjatë javës që lamë pas janë arrestuar dhe proceduar në gjendje të lirë 20 drejtues mjetesh, për vepra të ndryshme penale, konkretisht: 5 shtetas janë arrestuar në flagrancë për drejtim automjeti në gjendje të dehur; 2 shtetas janë arrestuar në flagrancë për drejtim automjeti në efektin e lëndëve narkotike; 4 shtetas janë arrestuar në bashkëpunim me Sektorin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjithashtu, janë vendosur 8102 masa administrative, kryesisht për shkelje që janë burim aksidenti.

Sipas njoftimit të Policisë, janë vendosur 203 masa administrative, për shpejtësi mbi normat e lejuara; 469 masa administrative, për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit; 468 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosdhënie përparësie këmbësorëve, në vija të bardha; 1158 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit; 80 masa administrative për xhama të errësuar; 446 masa administrative për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, nga drejtuesit e motomjeteve si dhe janë bllokuar 9 automjete.