Lajme

Policia jep detaje për protestën në Prishtinë: Pas tubimit pati vozitje të rrezikshme me vetura

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me protestën e mbajtur mbrëmë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku qytetarët shprehën pakënaqësinë e tyre lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas Policisë, protesta ka nisur rreth orës 21:00 dhe situata gjatë tubimit ka qenë kryesisht e qetë, pa u raportuar incidente të sigurisë.

Rreth orës 23:30, pjesëmarrësit kanë filluar të shpërndahen, ndërsa një pjesë e tyre janë zhvendosur drejt objektit të EULEX-it, ku kanë vazhduar protestën për rreth 30 minuta.

Më pas, protestuesit janë kthyer në drejtim të kryeqytetit dhe kanë vazhduar të lëvizin me automjete nëpër disa rrugë të Prishtinës.

Policia thotë se gjatë këtyre lëvizjeve janë krijuar kolona në trafik, ndërsa disa drejtues dyshohet se kanë kryer vozitje të rrezikshme, duke rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik dhe veten.

Për këtë arsye, njësitet policore kanë ndërmarrë masa shtesë, duke ndërprerë dhe riorientuar përkohësisht trafikun në disa zona, me qëllim të shmangies së bllokimeve dhe aksidenteve të mundshme. Sipas Policisë, këto veprime kanë vazhduar deri në orët e vona pas mesnatës.

Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë të garantojë rendin dhe sigurinë publike, duke respektuar të drejtën e qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë në mënyrë demokratike.

Në të njëjtën kohë, Policia ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj personave që shkelin ligjin dhe rregullat e trafikut rrugor.

Në fund, Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, ndërsa ka apeluar për kujdes të shtuar, respektim të ligjit dhe ruajtje të pronës publike e private./teve1.info/

Të Ngjashme