Lajme

Policia jep detaje për zjarrin në Prishtinë: U dëmtuan dy vetura, hetimet po vazhdojnë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me zjarrin që përfshiu mëngjesin e së mërkurës kontejnerët në rrugën “Sylejman Vokshi” në Prishtinë.

Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, rasti është raportuar rreth orës 06:00, ndërsa menjëherë pas pranimit të informatës në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipet e zjarrfikësve, të cilat kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin.

“Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore dhe ekipet e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin”, ka thënë ai.

Policia ka bërë të ditur se nga informacionet fillestare nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa si pasojë e flakëve janë dëmtuar dy vetura të parkuara në afërsi.

Sipas Policisë, hetuesit po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të sqaruar rrethanat dhe për të përcaktuar shkakun e zjarrit./teve1.info/

Të Ngjashme