Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Gjilanit, ku në fshatin Demiraj janë gjetur pa shenja jete një 27-vjeçar dhe një foshnjë tre muajshe.
Rasti është raportuar më 1 nëntor, rreth orës 08:47, kur Policia e Kosovës ka pranuar informacion për dy persona të pajetë në një shtëpi në këtë fshat.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e dy viktimave.
Pas hetimeve fillestare, Policia ka arrestuar një 65-vjeçar, babanë e 27-vjeçarit, i cili dyshohet për vrasjen e dyfishtë. I dyshuari është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit, ndërsa rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë”.
Megjithatë, rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje ende nuk janë sqaruar. Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Për këtë tragjedi ka reaguar edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i cili ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave, duke e cilësuar humbjen e dy jetëve si një ngjarje që ka prekur të gjithë qytetarët.
“Humbja e jetëve në rrethana që ende nuk janë sqaruar në tërësi është një tragjedi që na prek secilin”, ka shkruar Hyseni.
Ai ka kërkuar angazhim të plotë të institucioneve për zbardhjen e rastit.
“Presim që organet e rendit dhe të drejtësisë që të bëjnë punën e tyre me përkushtim të plotë për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti”, ka deklaruar kryetari i Gjilanit.
Ndërkaq, lidhur me rastin ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila ka theksuar rëndësinë e sigurisë brenda familjes dhe nevojën për reagim institucional.
“Familja duhet të jetë streha më e sigurt e njeriut, vendi ku mbizotërojnë dashuria, harmonia, kujdesi dhe mbrojtja”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të veprojnë pa vonesa për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Në këto momente, është e domosdoshme që rrethanat e këtij rasti të hetohen plotësisht dhe pa vonesa, në mënyrë që e vërteta të zbardhet dhe institucionet përgjegjëse të ndërmarrin veprimet që kërkon ligji”, ka shkruar ministrja.
Ndërkohë, institucionet e rendit dhe drejtësisë po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie që ka tronditur Gjilanin.
