Lajme

Policia konfiskon mbi 40 paketime kokaine, para e armë – arreston dy persona

Dy persona janë arrestuar për “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar” të kokainës.

Të mërkurën, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Prishtinë ka realizuar një operacion policor të koduar “pesëshi” ku fillimisht në Prishtinë është ndaluar një veturë me targa vendore të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari. Gjatë kontrollit të tij në trup i janë gjetur para të gatshme me vlerë 2790 euro, një telefon celular, ndërsa gjatë kontrollit të veturës i janë gjetur 22 paketime të mbushura me kokainë, e gatshme për shitje me peshë 83 gram.

Lidhur me rastin, Policia ka vazhduar në një lokacion tjetër dhe ka arrestuar një tjetër të dyshuar. Ai ka tentuar të ik fillimisht, por është zënë.

Gjatë kontrollimit të banesës që të dyshuarit dyshohet se e kanë shfrytëzuar janë gjetur, një armë zjarri, një karikator, 15 fishekë, 2 peshore digjitale që shërbejnë për matje në sasi të vogla.

“Në vazhdën e operacionit është bërë po ashtu kontrollimi i një garazhe dhe gjatë kontrollit të saj aty ndodhej një veturë me targa vendore pronë e njërit nga të dyshuarit, ku në pjesën e brendshme të saj janë gjetur edhe 23-paketime të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë në formë të ngurtë, të dyshuar për substancë narkotike të llojit kokainë e gatshme për shitje me peshë 133 gram”, njoftoi PK-ja.