Policia e Kosovës, të mërkurën ka reaguar pas raportimeve në media se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë “sanksionuar” këtë institucion.
Sipas komunikatës, në kuadër të Planit Zhvillimor Strategjik 2021-2025 një ndër objektivat e parapara është edhe ngritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore, përmes realizimit të trajnimeve të ndryshme brenda dhe jashtë institucionit, përfshirë trajnimet e ofruara nga partnerë të ndryshëm vendor e ndërkombëtar, ndër ta edhe partnerët kryesor strategjik siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Policia e Kosovës, që nga themelimi i saj e deri më sot ka realizuar trajnime të niveleve të ndryshme, në bashkëpunim me partneret e saj brenda dhe jashtë Kosove, trajnime këto të cilat nuk janë ndërpre në asnjë periudhë kohore, e të cilat vazhdojnë të realizohen edhe më tej”, thuhet në komunikatë.
Më tej, thuhet, se një nga përkrahësit dhe parterët kyç në ofrimin e trajnimeve brenda Policisë së Kosovës por edhe të dërgimit të zyrtarëve për trajnim jashtë vendit, ka qenë dhe vazhdon të mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët sipas komunikatës nga viti 2022 e deri me tani kanë realizuar mbi 250 trajnime brenda dhe jashtë vendit, ku kanë marrë pjesë mbi 2.300 pjesëmarrës nga Policia e Kosovës, përfshirë edhe njësitet elite të PK-së.
“Trajnimet e ofruara nga SHBA-ja kryesisht janë realizuar nga agjencionet si; OPDAT, ICITAP, DEA, ILEA, FBI, QENDRA GEORGE MARSHALL, ATA, KFOR-i-në Amerikan, etj, trajnime këto në të cilat kanë qenë të përfshira edhe njësitet speciale të PK-se, ku në vitin 2024 ka pasur rritje të trajnimeve të ofruara nga SHBA-ja për këto njësi”, theksohet në komunikatë.
Gjithashtu, bëhet e ditur, se me kërkesë të SHBA-së për pjesëmarrje në trajnime në SHBA, Policia e Kosovës, këtë javë ka nominuar zyrtarët e saj për pjesëmarrje në trajnime në SHBA.
“Policia e Kosovës, vazhdon të ketë bashkëpunim dhe raporte të jashtëzakonshme me SHBA-në dhe Ambasadën Amerikane të cilët në vazhdimësi kanë investuar shumë në Policinë e Kosovës me trajnime, me ekspertizë e po ashtu edhe me pajisje logjistike e të teknologjisë”, thuhet në vijim të komunikatës.
Në komunikatë thuhet, se Policia e Kosovës, deklarimet e Ambasadës Amerikane që ndërlidhen me fushën e sigurisë dhe me institucionin e PK-së, i merr me shumë seriozitet dhe mban komunikim të vazhdueshëm me ta, për të sqaruar gjithçka që mund të ketë sjellë deri tek ky perceptim edhe konstatim për PK-në.
“PK-ja merr me shqetësim dhe është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme që keqkuptimet e mundshme të eliminohen dhe të ruhet partneriteti ynë i jashtëzakonshëm me SHBA-të. Policia e Kosovës, udhëhiqet nga parimet e llogaridhënies dhe transparencës andaj është e hapur dhe e gatshme që ti ofrojë opinionit të gjerë dhe mediave informacionet zyrtare dhe statistikat për trajnimet”, theksohet në fund të komunikatës./teve1.info/