Lajme

Policia në Ferizaj shqipton 96 gjoba dhe konfiskon 48 motoçikleta

Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se gjatë periudhës 01–13 prill 2026 ka intensifikuar kontrollet në trafik, me fokus të veçantë ndaj drejtuesve të motoçikletave dhe skuterëve.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë këtyre kontrolleve janë shqiptuar gjithsej 96 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave për shkelje të ndryshme të rregullave të komunikacionit rrugor.

Po ashtu, janë konfiskuar 48 motoçikleta, kryesisht për mungesë të dokumentacionit të rregullt.

Policia bëri të ditur se ky aktivitet është realizuar në kuadër të planit operativ “Kontrolli i shtuar i qarkullimit të motoçikletave dhe skuterëve”.

Sipas të dhënave të publikuara, llojet e kundërvajtjeve përfshijnë: 50 gjoba për drejtim të motoçikletës pa patentë shoferi, 43 gjoba për drejtim pa regjistrim, 3 gjoba për mosvendosje të helmetës mbrojtëse, 48 motoçikleta të konfiskuara.

Policia ka apeluar tek qytetarët që të respektojnë rregullat e trafikut, duke theksuar se ngasja e papërshtatshme e motoçikletave rrezikon drejtpërdrejt jetën e drejtuesve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.

“Respektoni kufizimet e shpejtësisë, përshtatni ngasjen me kushtet e rrugës dhe gjithmonë vendosni helmetën mbrojtëse. Një moment pakujdesie mund të ketë pasoja të rënda,” thuhet në apel.

Po ashtu, policia ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.

“Ftohen qytetarët të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo shkelje përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat:
192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406. Të dhënat e raportuesve ruhen në konfidencialitet të plotë”, theksohet në fund të njoftimit.

Të Ngjashme