Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të hënën një veturë që dyshohet të jetë e xhandarmërisë serbe në pikën kufitare në Merdar nga pala serbë është ndaluar aty për disa minuta.
Sipas komunikatës 4 persona të xhandarmërie serbe kanë qëndruar aty për dhjetë minuta dhe gjatë largimit kanë shkelur vijën ndarës të kufirit që sipas PK-së përmban shkelje të marrëveshjes për IBM-në.
“Më datë 14.10.2024, rreth orës 18:20, tek pala serbe në stacionin policor kufitar në Merdar është vërejtur një veturë e tipit Land-Rover me targa të Serbisë që dyshohej të jetë e xhandarmërisë serbe! Sipas informacioneve nga kompetentët aty shiheshin 4 (katër) pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të cilët kanë qëndruar rreth 10 (dhjetë) minuta tek hyrja e objektit te pala serbe. Të njëjtit janë larguar duke shkelur vijën ndarëse kufitare që në fakt përbënë shkelje të marrëveshjes për IBM-në, ka për qëllim provokimin apo krijimin e ndonjë incidenti ndërshtetëror”, thuhet në komunikatë.
Policia u ka bërë thirrje autoritete ndërkombëtare që të ndërmarrin veprime për ruajtjen e stabilitetit dhe respektimin reciprok të marrëveshjeve për pikat kufitare.
“Policia e Kosovës kërkon nga autoritetet relevante ndërkombëtare që të ndërmarrin veprime të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit dhe respektimin reciprok të marrëveshjeve qe ndërlidhen me menaxhimin e integruar kufitar dhe me sigurinë në përgjithësi”, thuhet në komunikatë.