
Me qëllim të shtimit të sigurisë publike dhe parandalimit të incidenteve të natyrave të ndryshme, Policia e Kosovës njofton se ka shtuar masat e sigurisë në vend, përfshirë veriun e vendit, ku ditëve të fundit kanë ndodhur disa sulme/incidente serioze kriminale.
Në kumtesën për media theksohet se me planifikimet e parapara, do të ketë shtim të aktiviteteve policore për të ofruar më shumë siguri në tërë vendin, për të gjithë qytetarët pa dallim.
Planifikimet operative policore do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në teren, duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët.
Më tej bëhet e ditur se me anë të veprimeve operative dhe atyre inteligjente, policia do të ketë synim që të ruajë rendin e qetësinë publike, të parandalojë aktet kriminale e të hetojë e vejë para drejtësisë të gjitha ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues.