Lajme

Policia shpall në kërkim ish-shefin e AMP Durrës që shantazhonte me portal drejtuesit e Policisë

Ish-shefi i AMP Durrës, Kushtrim Selimi është shpallur në kërkim pasi ndërtoi vilë në Kallm në zonë publike.

Ai u vetëdorëzua në polici më 28 qershor, ndërsa ishte prej javësh në kërkim, pasi kishte hapur një portal ku shpërndanin lajme të rreme dhe denigronin figurat e Policisë së Shtetit së bashku me Regina Omerin dhe Ervis Hasanagën.

Më pas ai u la i lirë, ndërsa sot nuk është gjetur në banesë pas urdhrit të Gjykatës së Durrësit për ta arrestuar.

Ai është shpallur në kërkim ndërsa nuk dihet se ku ndodhet.

Gjykata gjithashtu dha masa edhe për 6 punonjës të tjerë, mes tyre masën “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për Regina Omerin, e cila është pezulluar më parë nga AMP.

Sipas njoftimit të AMP, Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Durrës – Kavajë ka zbatuar Urdhrin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kërkuar nga Prokuroria në kuadër të procedimit penal të vitit 2024 për masat e sigurisë:

➡️ Masa e sigurimit personal “Arrest me burg” ndaj shtetasit Kushtrim Selimi, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim”, “Ndërtim i paligjshëm”, “Vjedhje e energjisë elektrike”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij.

➡️ Masa e sigurimit personal “Arrest me burg” ndaj shtetasit Metin Vogli, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi gjatë kontrollit nuk është gjendur në banesë.

➡️ Masa e sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj shtetases Regina Omeri, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “ Moskallëzim krimi”.

➡️ Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë Edmond Plaku me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës, i kryer në bashkëpunim”.

➡️Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë Skënder Sakaj me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës i kryer në bashkëpunim”.

➡️ Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë Kastriot Karafili me detyrë Specialist i Rendit në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës i kryer në bashkëpunim”.

➡️ Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë Ardian Jonuzi me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Kommisariatit të Policisë Kavajë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës i kryer në bashkëpunim”.

Nga hetimet e kryera u siguruan prova se shtetasi K.S., gjatë kohës që ka ushtruar detyrën si Shef sektori pranë AMP Durrës, duke shfrytëzuar atributet e pozicionit, ka zaptuar një sipërfaqe trualli, pronë shtetërore në lagjen “Kallm” të Durrësit, ku dhe ka ndërtuar në mënyrë të jashtëligjshme një vilë.

Punonjësit e policisë, tashmë nën masa sigurie, në dijeni të veprimeve të kundraligjshmë kanë siguruar mjetet e nevojshme për ndërtim.