Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur për Tëvë1 se personi që shihej me armë pranë një shkolle në Ferizaj, është identifikuar dhe objekti ka rezultuar të jetë armë lodër.
Ai ka bërë të ditur se, gjatë trajtimit të rastit, Policia ka identifikuar një 12-vjeçar, i cili së bashku me një familjar është shoqëruar në polici.
“Lidhur me videon e publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohej se në një shkollë fillore në Ferizaj shihej një person me armë, Policia, përkatësisht Stacioni Policor në Ferizaj, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për verifikimin e rastit. Gjatë trajtimit të rastit është identifikuar një fëmijë rreth 12 vjeç, i cili së bashku me një familjar është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj. Pas verifikimeve, është konstatuar se objekti i paraqitur në video ishte armë lodër. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar Prokurori i Shtetit për të Mitur”, tha Veseli.
Gjatë ditës, në rrjetet sociale kishte qarkulluar një video, në të cilën personi i dyshuar shihej me një armë zjarri në hapësirat e një shkolle.
