Policia e Kosovës ka sqaruar arsyen pse gjatë së martës janë ndaluar hyrje-daljet dhe parkimi i automjeteve në hapësirat e Kuvendit të Kosovës dhe Presidencës.
Sipas njoftimit të Policisë, Drejtoria e Shërbimeve Teknike të Kuvendit kishte kërkuar zyrtarisht që më 8 shtator 2026, përveç veturave zyrtare të Kuvendit dhe Zyrës së Presidentes, të mos lejohej hyrja apo parkimi i automjeteve të tjera.
Arsyeja e kësaj ndalese, sipas kërkesës zyrtare, ishte pastrimi i oborrit dhe vendparkingjeve me mekanizëm adekuat në të gjitha hyrje-daljet dhe hapësirat e parkimit.
Policia ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim pritet rikthimi i procedurave të rregullta për hyrje-dalje dhe parkim të personave të autorizuar.
“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, përfshirë edhe zbatimin e kërkesave zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
