Lajme

“Politika e vjetër po ua mban peng të ardhmen”, analisti mbështet protestat dhe kërkon ndryshim në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pretenduar se protestat e fundit në vend mund të jenë të nxitura nga ndikime të huaja, duke përmendur edhe një incident me një dron me eksploziv, i cili, sipas tij, ishte neutralizuar dy ditë më parë.

“Përpara 2 ditësh është neutralizuar një dron më eksploziv që do të godiste Kryeministrinë dike i bënë flakën e oborrit të brendshëm dhe imagjinoni pasojat. S’ka rini dhe s’ka student që i shkon mendja ta bërë në jetë këtë plan, kjo është një dorë e huaj”, tha Rama.

Lidhur me këtë, analisti politik nga Shqipëri, Ilir Vata, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se protestat pasqyrojnë pakënaqësitë e akumuluara në shoqërinë shqiptare, veçanërisht te të rinjtë, të cilët, përballen me problemet e trashëguara nga politika e vjetër.

Image
Ilir Vata

Megjithatë, ai ka ngritur pikëpyetje për organizimin dhe financimin e protestave, duke theksuar se, pavarësisht burimit të tyre, kërkesat e protestuesve duhet të trajtohen nga pikëpamja sociale dhe politike.

“Protesta është organizuar kryesisht në Tiranë, nisi me flamingo, për Zvërnecin, dhe më pas u pasua nga studentët, të cilët demonstruan edhe dhunë në këto pesë ditë, apo sot në ditën e gjashtë. Në fakt, të gjithë e kanë interpretuar këtë si një luftë brezash mes të rinjve dhe politikës së vjetër të Shqipërisë, e cila prej 35 vitesh e mban peng të ardhmen e vendit, duke e lënë në tranzicion dhe duke e lënë vendin në një nivel të ulët ekonomik e social.

Pra, Shqipëria në vetvete i ka problemet dhe protestat janë të nevojshme për cilindo që i sheh ato. Por fakti që ky kryeministër i ka interpretuar disa herë si protesta me ndikim të huaj, ka njëfarë të drejte, sepse kohët e fundit lëvizjet neomarksiste janë shfaqur në Evropë, në Francë, Belgjikë, Itali, Gjermani, por edhe kryesisht në Shqipëri, ku vendi është mes së shkuarës dhe së ardhmes. Pra, Shqipëria nuk është ndarë ende nga diktatura. Shqipëria lëngon, nuk e ka kërkuar të shkuarën dhe, për këtë arsye, rinia mund të bjerë në fatalitetin e vet, në njëfarë komunizmi të ri”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Vata ka ngritur pikëpyetje edhe për drejtimin dhe organizimin e protestave, duke vënë në dyshim nëse ato udhëhiqen nga vetë të rinjtë apo nëse pas tyre mund të qëndrojnë organizata dhe faktorë të tjerë.

“Ka mendime se kjo protestë nuk ka kokë. Por ku është koka e protestës? Kush e drejton protestën? A janë vërtet për të rinjtë? Këto enigma tregojnë qartë se protesta mund të jetë e organizuar nga organizata joqeveritare me origjinë marksiste, ndërsa burimi i ndikimit të tyre mund të jetë Sorosi.

Sigurisht, në këtë lloj proteste mund të ketë edhe ndihmë të huaj, sepse dashakeqët e Shqipërisë, Kosovës e të rajonit, pse jo, mund të kërkojnë që Shqipëria, Mali i Zi dhe vendet përreth të mos integrohen në Bashkimin Evropian apo të mos jenë pjesë e Aleancës Atlantike. Për këtë mund të ketë ndikime ruse, ndikime kineze, pse jo, edhe dashakeqës e armiq të Shqipërisë, të cilët janë të kudogjendur.

Por ajo që kryeministri duhet të bëjë është t’i dëgjojë protestuesit, sepse ka vend për të parë shumë gjëra. Pavarësisht se cili është burimi i protestës dhe nga vijnë protestuesit, këto protesta duhet të shihen nga pikëpamja sociale dhe politike. Kjo politikë e vjetër duhet t’u qaset studentëve, t’i dëgjojë studentët dhe të rinjtë, si dhe t’i përmirësojë ato gjëra ku ka probleme: në arsim, me meritokracinë, në ekonomi, me shtypin dhe me fjalën e lirë”, është shprehur Vata.

Sipas tij, përgjegjësia për menaxhimin e situatës bie edhe mbi kryeministrin dhe institucionet shtetërore, të cilat duhet të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin deklaratat që mund të ndikojnë në mënyrën se si perceptohen protestat.

“Pra, Shqipëria është një vend gjysmëdemokratik dhe çdo pretendim se protestat organizohen nga të huajt, qoftë edhe në teori, nuk duhet të zihet me gojë nga liderët politikë, pikërisht nga kryeministri, i cili është përgjegjësi kryesor për të ardhmen e shqiptarëve.

Unë them se protestat kanë ndikim të huaj, por ato janë edhe shumë të sponsorizuara. Aty në shesh janë miliona euro të hedhura. Një adeziv kushton miliona lekë, një pelikon, një parullë – janë shpenzime të mëdha dhe dikush i financon. Por ajo që mbetet është se protesta nuk ka kokë dhe ka të drejtë çdokush të mendojë se kush i shtyn ata në dëm të Shqipërisë, në dëm të marrëdhënieve me vendet e tjera”, ka potencuar ai.

Gjithashtu, Vata ka treguar se fillimisht e ka mbështetur protestën, por se qëndrimi i tij ka ndryshuar kohëve të fundit, për shkak të dhunës së shfaqur gjatë demonstratave.

“Unë, në fillim, e kam mbështetur protestën, ndërsa kohëve të fundit kam qenë më kritik sa i përket dhunës. Ata mund të protestojnë, por protestat duhet të jenë paqësore, jo për ta djegur Shqipërinë dhe për të krijuar imazhin se Shqipëria po kthehet në vitin ’97. Një situatë e tillë mund ta dëmtojë kredibilitetin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, aq më keq kur vihet në rrezik jeta e qytetarëve duke sulmuar institucione e biznese.

Pra, përderisa protestat nuk kanë kokë, qasja e kryeministrit, i cili sigurisht është mirë i informuar, se ka ndikim të huaj, edhe mua më duket e besueshme. Por në politikën shqiptare, partitë politike dhe vetë institucionet duhet të vetëpërmbahen për ta menaxhuar protestën, në mënyrë që ajo të zhvillohet në rrugë paqësore, protestuesit të dëgjohen dhe kërkesat e tyre të bëhen realitet”, ka përfunduar Vata për “Bota sot”.

Të Ngjashme