Këngëtarja Elvana Gjata ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me protestat e fundit në Tiranë, duke shprehur shqetësimin e saj për tensionet dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë.
Përmes një postimi në Instagram, artistja u bëri thirrje të rinjve të protestojnë pa dhunë, ndërsa kërkoi nga qeveria dhe drejtuesit politikë që të dëgjojnë shqetësimet e tyre.
“Më vret të shoh këtë rini së cilës i zien gjaku nga mërzia dhe zhgënjimi. Më dëshpëron të shoh vendin tim të digjet. Sërish!”, shkroi Elvana, duke theksuar se dhuna nuk duhet të jetë mënyra për të shprehur pakënaqësinë.
“PROTESTO! ULËRIT! FRYMËZO! BASHKOHU NË PROTESTË QYTETARE! Por MOS SHKATËRRO! MOS DIGJ! MOS DHUNO!”, ishte një tjetër pjesë e mesazhit të saj.
Megjithatë, postimi i këngëtares nuk është pritur njësoj nga të gjithë. Një përdorues i rrjeteve sociale e ka rishpërndarë deklaratën e saj, duke i bashkëngjitur një audio me tone ironike, ku dëgjohet shprehja: “I paska ardhur goja kësaj. Kush është kjo njëherë?”.Ajo që ka tërhequr vëmendjen është se postimi ironizues rezulton të jetë pëlqyer edhe nga dy personazhe të njohura të ekranit, Zhaklin Lekatari dhe Dea Mishel, siç shihet në pamjen e shpërndarë në rrjet.

Ky detaj ka nxitur interpretime se dy ish-banoret e “Big Brother VIP” mund të mos jenë dakord me qëndrimin e Elvanës.
