Një 67-vjeçare dhe djali i saj 44 vjeç kanë rënë në prangat e Policisë së Kuçovës, pasi akuzohen se kanë shfrytëzuar djalin e 44-vjeçarit për klikime në Tik Tok.
Policia bën me dije se gjyshja dhe babai i 10-vjeçarit publikonin në Tik Tok video të tij duke përdorur fjalë denigruese dhe banale. Bëhet fjalë për dy personazhe të njohur të Tik Tok-ut, Armando Kumaraku dhe Natasha Rombula.
Dyshja nënë e bir njihen për videot dhe live-t (me fjalë banale) që bëjnë në Tik Tok. Uniformat blu njoftojnë se arrestimi i nënë e bir është bërë pas kallëzimit që ish-bashkëshortja e 44-vjeçarit ka bërë në polici.
Shtetasja E. A kallëzoi në dhjetor të 2023 se ish-bashkëshorti i saj dhe nëna e tij, postonin në rrjetin social TikTok, video ku shfaqej djali i saj i mitur 10 vjeç, duke përdorur fjalë denigruese dhe banale. Menjëherë pas denoncimit policia regjistroi rastin dhe shpalli në kërkim dy TikToker-at të cilët u arrestuan sot.
Platforma e rrjetit social Tik Tok ka dalë jashtë kontrollit kohët e fundit në vendin tonë. Disa gra dhe vajza kanë shkuar deri në aktin ekstrem të vetëvrasjes për shkak të presionit dhe shantazheve që u janë bërë në Tik Tok.
Lexo edhe: Balla dhe drejtori i TikTok takime me nxënës të shkollave të mesme në Shqipëri
Rasti i fundit është vetëvrasja e Sibela Abedinit, nëna 27-vjeçare e një vajze 2 vjeçe, e cila u hodh nga kati i katërt i pallatit pas publikimit në Tik Tok të një foto intime nga shtrati me Altin Çokun (tashmë i ndodhur në burg).
Në fillim të vitit 2024 Bedrie Loka nga Durrësi i dha fund jetës me fostoksinë si pasojë e bullizimit në Tik Tok dhe të dhunës dhe presionit nga bashkëshorti.
Këto dhe shumë raste të tjera me personazhe që abuzojnë në rrjetin e Tik Tok-ut për të fituar disa qindarka kanë bërë qytetarët të vënë në dyshim këtë platformë, e cila ka nevojë për një rregullim themelor me ligj.
Lidhur me rritjen e rasteve abuzuese në Tik Tok qeveria shqiptare është mobilizuar për të shtuar vigjilincën ndaj kësaj platforme, e cila me sa duket po del jashtë kontrollit.
Një javë më parë kryeministri Edi Rama shkoiu në zyrat e Tik Tok në Gjermani, ku u takua me zv.Drejtorin e Përgjithshëm të Kompanisë Theo Bertram. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rama tha se diskutoi me zv.Drejtorin e Tik Tok lidhur me ngjarjet e fundit në Shqipëri.
“Në zyrat e Tik Tok me zv. Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë Theo Bertram, ku diskutuam me mirëkuptim të plotë për ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online, si edhe u njohëm me masat që po merren nga kompania për të rritur nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe. Ishte kënaqësi informimi mbi nivelin e lartë të vetëdijes së kolosit social Tik Tok, për rreziqet që i kanosen rrjeteve sociale dhe të investimeve të kompanisë në përballimin dhe shmangien e tyre”, shkroi Rama në Facebook.
Njoftimi i policisë
Finalizohet pas 2 muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Show”. Operacioni, nga Komisariati i Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.
Shfrytëzonin një të mitur 10 vjeç, me qëllim përfitimin nga rrjeti social TikTok, duke postuar video të tij, me fjalë denigruese dhe banale, vihen në pranga 2 shtetas (babai dhe gjyshja e të miturit).
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, pas kallëzimit të marrë në muajin dhjetor 2023, nga shtetasja E. A., se ish-bashkëshorti i saj dhe nëna e tij, postonin në rrjetin social TikTok, video ku shfaqej djali i saj i mitur 10 vjeç, duke përdorur fjalë denigruese dhe banale, menjëherë kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, e cila regjistroi procedimin penal për këtë rast.
Si rezultat i hetimeve dymujore me metoda proaktive, u bë shpallja në kërkim e shtetasve Armando Kumaraku dhe Natasha Rombula.
Pas sigurimit të inteligjencës policore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, për vendndodhjen e këtyre 2 shtetasve, u organizua në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, operacioni policor i koduar “Shoë”.
Në kuadër të operacionit, u kapën në Sarandë, 2 shtetasit e shpallur në kërkim, të cilët më pas u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Kuçovë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Në përfundim të veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë ndaluar shtetasit A. K., 44 vjeç dhe N. R., 67 vjeçe, të dy banues në Sarandë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo