Lajme

Prania e Sorosit në Samit, Berisha thirrje Kongresit të SHBA: Ndalojeni!

Në Samitin që u zhvillua këtë të mërkurë në Tiranë, ku për herë të parë ishte i pranishëm edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mori pjesë edhe djali i miliarderit George Soros, Alex Soros.

Lidhur me këtë ka reaguar së fundmi edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nga dritarja e banesës së tij, ka deklaruar para mbështetësve të tij se prania e Soros në Samit si anëtar i delegacionit të Shqipërisë është dëshmi e qartë e angazhimit të tij për të mbrojtur kryeministrin Edi Rama.

Sipas Berishës, djali i miliarderit mbron kryeministrin si dhe është mbështetësi kryesor i ndarjes së Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë. Për këtë arsye, Berisha i ka bërë thirrje Konfresit të SHBA që të ndalojnë me ligj veprimtarinë e tij në Europë, Ballkan dhe Shqipëri.

Anëtar i delegacionit shqiptar ishte siç e patë ju, Aleksis Soros. Aleksis Soros qëndronte bashkë me delegacionin shqiptar, duke harruar se ai mbron Edi Ramën, një Pashiq serb në Tiranë.

Prania e Aleksis Soros si anëtar delegacioni i Shqipërisë është dëshmia më flagrante e angazhimit të tij për të mbrojtur Edi Ramën pavarësisht nga çdo e zezë që kjo e keqe e madhe u bën shqiptarëve.

Aleksis Soros mbron Edi Ramën, njeriu i cili në tetë vite ka përzënë nga Shqipëria, duke vrarë shpresën, një të tretën e popullatës shqiptare, më shumë se çdo pushim i huaj në të gjitha kohërat, më shumë se çdo luftë botërore, rajonale, e çfarëdolloji nga një vend i caktuar.

Dhe ky mbron këtë sepse ka interesa të kundërta me shqiptarët. Aleksis Soros është arkitekti bashkë me Sergei Lavrov, mbështetës kryesor i Ballkanit të Hapur, kundër Ballkanit të Nismës së Berlinit.

Mbështetës kryesor i ndarjes së Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë.

Me këtë rast, i bëj thirrje Kongresit të SHBA, i bëj thirrje miqve të Shqipërisë në Kongresin e SHBA, të ndalojnë me ligj veprimtarinë e tij në Europë, në Ballkan, në Shqipëri”, tha Berisha.

Djali i miliarderit George Soros aktualisht është president i Fondacionit  “Shoqëri e Hapur” dhe viziton shpesh herë vendin tonë.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo