Lajme

Presidenti Bajram Begaj dënon sulmet ndaj Izraelit

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj është bashkuar me krerët e shteteve nga gjithë Evropa dhe bota për të dënuar sulmet që kanë nisur mëngjesin e kësaj të shtune ndaj Izraelit.

“Dënoj fuqishëm sulmet ndaj Izraelit nga Hamasi. Në këto momente, ne qëndrojmë me Izraelin . Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre. Shqipëria qëndron e vendosur kundër çdo forme terrorizmi”, shkruan Begaj.

Më herët, pothuajse të njëjtin mesazh e ka ndarë kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm Igli Hasani. Fatmirësisht, deri në raportimin e parë, paradite, mes shtetasve të lënduar nuk kishte asnjë shqiptar.

Terroristët e grupit të Hamasit kanë lëshuar breshëri raketash në të zbardhur të 7 Tetorit, si dhe kanë thyer kufirin me Izraelin.

Qindra militantë të armatosur raportohet se kanë hyrë në territorin e Izraelit dhe kanë nisur të qëllojnë me armë civilët e pafajshëm që ndeshin në rrugë. Mijëra banorë të zonave kufitare në Rripin e Gazës kanë braktisur shtëpitë nga frika, ndërsa qindra izraelitë të tjerë janë marrë peng.