Lajme

“Presidenti në këmbim të votave” – Halili zbërthen kushtin e LDK-së ndaj LVV-së: Ja taktika që po përdor

Pavarësisht se muaj më parë kishte insistuar se posti i presidentit duhet t’i takojë një figure jopartiake dhe unifikuese, Lidhja Demokratike e Kosovës tani po e kushtëzon mbështetjen për formimin e institucioneve me marrjen e këtij posti nga një kandidat i saj.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se 18 deputetët e partisë mund të votojnë të unifikuar vetëm nëse kandidati për president vjen nga radhët e LDK-së.

A përbën kjo një ndryshim të qëndrimit të kësaj partie, apo bëhet fjalë për një rrethanë të re politike që imponon një qasje tjetër?

Lidhur me këtë temë, për “Bota sot” foli profesori Nijazi Halili, i cili u shpreh se deklarata e fundit e Hazirit rikthen vëmendjen te praktika e kaluar politike për shkëmbimin e pozicioneve institucionale.

Sipas tij, kjo qasje nuk përbën risi në kulturën e koalicioneve në vend, por njëkohësisht e dëmton LDK-në për shkak të ndryshimit të qasjes së saj politike.

Image
Nijazi Halili

“Deklaratat e fundit të nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, lidhur me mundësinë që LDK t’i ofrojë 18 votat e saj në Kuvendin e Kosovës në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje, në këmbim të postit të Presidentit, rikthejnë në qendër të vëmendjes një praktikë tashmë të njohur në politikën kosovare: shkëmbimin e pozicioneve institucionale për sigurimin e shumicave parlamentare.

Nga këndvështrimi politik, kjo qasje nuk përbën një risi për kulturën e koalicioneve në Kosovë. Megjithatë, ajo krijon një tension të dukshëm me diskursin e mëhershëm publik të LDK-së, e cila në mënyrë të përsëritur ka theksuar nevojën për një president konsensual, mbipartiak dhe unifikues”.

Krahas kësaj, ai potencoi se fakti që LDK synon ta marrë postin e presidentit dëshmon se po zhvendoset ideja e një figure neutrale shtetërore drejt një kandidature të qartë partiake.

Për këtë, profesori foli më gjerësisht për ndryshimin në qëndrimin parimor të partisë në fjalë.

“Deklarata e Hazirit, sipas së cilës votat e LDK-së do të unifikoheshin vetëm në rast se kandidati për president vjen nga vetë radhët e partisë, duke përmendur edhe emra si Lumir Abdixhiku apo vetë ai, e zhvendos theksin nga ideja e një figure neutrale shtetërore drejt një kandidature të qartë partiake.

Kjo qasje krijon perceptimin e një ndryshimi në qëndrimin parimor: nga kërkesa për një president jopartiak si standard institucional, në një pozicionim politik që e kushtëzon mbështetjen me përfaqësim të drejtpërdrejtë partiak në postin më të lartë shtetëror.

Në këtë kuptim, mund të thuhet se LDK nuk e ka braktisur plotësisht idenë e presidentit unifikues, por e ka riformuluar atë në funksion të realpolitikës dhe balancave të reja në Kuvendin e Kosovës”.

Në fund, ai shtoi se të gjitha deklaratat e fundit nga LDK për postin e presidentit tregojnë më shumë një qasje taktike politike sesa një ndryshim ideologjik.

“Në përmbyllje, ky pozicionim duket më shumë si një qasje taktike e momentit sesa një ndryshim i thellë ideologjik, duke reflektuar dinamikën e zakonshme të negociatave politike në një sistem parlamentar ku kompromisi mbetet instrumenti kryesor i funksionimit institucional”, përfundoi Nijazi Halili për “Bota sot”.

Të Ngjashme