ShowBizzz

Princesha Anne shtrohet në spital me urgjencë

Princesha Anne është plagosur dhe është dërguar me urgjencë në spital, ku po trajtohet për tronditje dhe lëndime të lehta në kokë. Mediat e huaja raportojnë se motra e Mbretit Charles, ishte duke shëtitur me kalë në pronën e saj në Gatcombe Park në Gloucestershire kur u lëndua.

Shkaku i dëmtimit të saj në kokë është ende i pakonfirmuar. Princeshës iu dha ndihma e parë, përpara se të dërgohej në Spitalin Southmead në Bristol për analiza, trajtim dhe vëzhgim.

Bashkëshorti i Anne, zëvendësadmirali Sir Tim Laurence dhe fëmijët e saj, Zara Tindall e Peter Phillips, ishin të gjithë në pronë në kohën kur ajo u plagos. Shërbimet e urgjencës mbërritën në vendngjarje. Vëllai i saj Mbreti Charles është informuar për incidentin dhe së bashku me të gjithë familjen mbretërore i dërgojnë urimet e tyre princeshës për një shërim të shpejtë.

Princesha Anne, së fundmi, ka qenë shumë e angazhuar në detyra duke qenë se Mbreti Charles për shkak të gjendjes shëndetësore ka anuluar pjesëmarrjen në evente të ndryshme.