Lajme

Prishtina me aktivitet për vetëdijesimin e fëmijëve mbi mbrojtjen e mjedisit

Aty ku janë mbledhur udhëheqës e punonjës të Komunës së Prishtinës janë po edhe vogëlushët e qytetit të cilët kanë ardhur në parkun e lagjes Dardania të mbjellin lule së bashku me të rriturit.

Për Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, Drejtoria e Parqeve dhe Mjedisit në Prishtinë ka organizuar një event me aktivitete për fëmijët nga shkollat fillore “Dardania”, “Xhemajl Mustafa” dhe “Hasan Prishtina”, në mënyrë që të rikujtohen për ndjenjën e përgjegjësinë që ata kanë ndaj mjedisit ku jetojnë.

Drejtoresha e Parqeve, Fatime Hajdari shpjegoi aktivitetin.

“Dëshirojmë t’i bëjmë pjesë edhe fëmijët pjesë të procesit të kujdesisë dhe përgjegjësisë të cilët e kanë edhe ata si qytetarë të këtij qyteti. Në një prej aktiviteteve kemi marrë pikturat që i kanë bërë ata me tematikë si dëshirojnë ti shohin parqet dhe hapësirën ku luajnë. Aktiviteti tjetër është mbjellja e luleve në park dhe aktiviteti tjetër është kujdesi për lodrat ku ata përmes ngjyrosjes mund të tregojnë se si edhe ata mund të kujdesen për qytetin”, tha Hajdari.

Nxënësja Elena Gjonbalaj ka vendosur prej mendjes së saj e drejt mbi një pëlhurë një peizazh, llojin e ambientit që ajo dëshiron të shohë në përditshmëri.

“Kam ardhur të tregoj punimin tim. E kam bërë nga imagjinata ime një park të cilin kam dashur ta shikojnë edhe të tjerët”.

Piktura paraqet lule, gjelbërim dhe ulëse për njerëzit që do të donin ta shohin pamjen e parkut dhe të “kënaqen”.

Elena tregoi se ka qejf të vështrojë një ambient “të pastër dhe me gjelbërim”.

Drejtoresha për Parqet u zotua se “nuk do të mungojnë” evente të tilla të organizuara nga kjo drejtori, edhe në lagje të tjera të qytetit.

Të Ngjashme