Lajme

Schuebel: Bllokada institucionale ngadalësoi reformat, Kosova ka mundësi t’i kompensojë vonesat

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka vlerësuar se bllokada politike vitin e kaluar në Kosovë ka ndikuar në ngadalësimin e reformave evropiane, por ka theksuar se zhvillimet e reja politike krijojnë mundësi për përshpejtimin e tyre.

Në konferencën për media pas dorëzimit të Raportit për Kosovën për vitin 2026, Schuebel tha se periudha e vlerësuar është karakterizuar nga tri palë zgjedhje brenda 16 muajsh, një Kuvend që për pjesën më të madhe të kësaj periudhe nuk ishte konstituuar dhe një Qeveri që kryesisht kishte funksionuar në detyrë.

Sipas tij, kjo situatë ka prodhuar një ritëm më të ngadaltë të reformave, i cili është pasqyruar edhe në raportin e Komisionit Evropian.

Megjithatë, ambasadori theksoi se situata aktuale është ndryshe, pasi Kosova tashmë ka Kuvend të konstituuar, Qeveri me mandat të plotë dhe presidente të re. Ai tha se Bashkimi Evropian e mirëpret këtë zhvillim dhe pret qëndrueshmëri të ripërtërirë institucionale.

Schuebel u bëri thirrje institucioneve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të kompensuar vonesat e krijuara dhe për të intensifikuar reformat evropiane në të gjitha fushat.

Schuebel: Bllokada institucionale në Kosovë ngadalësoi reformat

“Kjo periudhë raportuese u karakterizua nga një bllokadë institucionale në Kosovë. Tri palë zgjedhje brenda 16 muajsh, një Kuvend që për pjesën më të madhe të kësaj periudhe nuk ishte konstituuar dhe një Qeveri që kryesisht funksiononte në detyrë. Logjikisht, kjo ka çuar në një ritëm më të ngadaltë të reformave, gjë që pasqyrohet edhe në raport. Sot situata është ndryshe. Kosova ka një Kuvend të konstituuar, një Qeveri me mandat të plotë dhe një presidente të sapozgjedhur. BE-ja e mirëpret këtë zhvillim. Jemi shumë të kënaqur dhe presim qëndrueshmëri të ripërtërirë institucionale. Kosova tani ka institucione plotësisht funksionale për të çuar përpara reformat. Ky është një rast për të kompensuar vonesat dhe nuk duhet humbur. Tashmë shohim një dinamikë të re në zbatimin e agjendës së reformave. Ju inkurajoj që të intensifikoni përpjekjet për reformat evropiane në të gjitha fushat”, tha ai.

Duke komentuar më konkretisht gjetjet e raportit, ambasadori tha se, pavarësisht vitit të vështirë, Kosova ka arritur të shënojë përparim në disa fusha. Ai veçoi zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në mënyrë të rregullt, paqësore dhe gjithëpërfshirëse, si dhe avancimin e nivelit të përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar.

Sipas Schuebelit, përmirësim i ritmit të përparimit është vërejtur edhe në reformën e administratës publike, lirinë dhe sigurinë, statistikat, lëvizjen e lirë të kapitalit, shërbimet financiare dhe politikën rajonale.

Ky është progresi që ka bërë Kosova në zbatimin e reformave, sipas ambasadorit të BE-së

“Kosova ka avancuar nivelin e përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa ritmi i përparimit është përmirësuar në disa fusha, si reforma e administratës publike, liria dhe siguria, statistikat, lëvizja e lirë e kapitalit, shërbimet financiare dhe politika rajonale. Miratimi i fundit i Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit është një hap i shumëpritur. Ky ligj ka rëndësi për luftën kundër krimit të organizuar, lëvizjen e lirë të kapitalit dhe përgatitjet e Kosovës për t’iu bashkuar Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Ratifikimi i tri protokolleve shtesë të CEFTA-s është një tjetër hap pozitiv drejt integrimit ekonomik rajonal. Megjithatë, është e qartë se një sërë reformash ende kanë mbetur pezull. Sa i përket gjyqësorit dhe të drejtave themelore, gjatë vitit që kemi shqyrtuar nuk kemi parë përparim domethënës. Reforma në drejtësi, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, duhet të përfundojë përmes bashkëpunimit… Edhe liria e shprehjes duhet të përmirësohet. Korniza ligjore duhet të avancojë, përfshirë Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Një çështje tjetër urgjente që duhet trajtuar është lufta e besueshme kundër korrupsionit, si dhe miratimi i një strategjie kundër korrupsionit, në përputhje me standardet evropiane. Sa u përket standardeve evropiane”, tha ai.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ai theksoi se Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunojnë për një rajon më të qëndrueshëm.

Sipas tij, dialogu Prishtinë-Beograd mbetet pjesë e rëndësishme jo vetëm e marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Schuebel: Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve

“Së dyti, rindërtimi i besimit me komunitetin serb të Kosovës dhe zbatimi i të gjitha obligimeve që dalin nga dialogu mbeten pjesë thelbësore e rrugës evropiane të Kosovës. Dinamika e re rajonale kërkon që Kosova të përfitojë nga këto zhvillime, duke treguar hapje dhe, para së gjithash, durim strategjik. Duke parë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, BE-ja është pranë jush për të mbështetur përpjekjet tuaja dhe për të punuar së bashku drejt qëllimit tonë të përbashkët: një Kosovë të qëndrueshme, shumetnike dhe të begatë brenda Bashkimit Evropian”, tha ai.

Të Ngjashme