Lajme

Prizreni që tri vite pa nënkryetar të komuniteteve

Ka tre vite që është në pushtet.

Mirëpo deri më tash, në komunën që udhëheqë, kryetari Shaqir Totaj ende nuk ka zgjedhur një nënkryetar për komunitete.

Nga komuna theksojnë se problemi nuk është te komuna, por tek mos-dakordimi mes vet komuniteteve.

“Për t’u zgjedhë nënkryetari për komunitete duhen të paktën katër vota, për me e kriju shumicën, dmth katër vota të komuniteteve dhe deri tash ata nuk kanë arritë me gjetë një gjuhë të përbashkët për me e përcaktu kandidatin. Derisa komunitetet nuk e kanë një dakordancë ne sigurisht që nuk do të propozojmë emra sepse nuk dëshirojmë që t’i konsumojmë emrat kështu kot pa e pasë ata edhe një mbështetje të komuniteteve”, tha nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Shala.

Mirëpo nga vet komuniteti boshnjak bënë të ditur se kjo çështje nuk po zgjidhet nga vet kryetari Shaqir Totaj.

“Është problemi që vet kryetari i komunës nuk do me inicu rastin për me votu zëvendës-kryetarine komunës. Se premtimi para zgjedhjeve ka qenë për me pasë zëvendës kryetar turj. Kryetari mundet me zgjedh brenda ditës këtë problem, nëse do me qitë në votim zëvendës kryetarin e komunës”, tha Merdzan Osmani nga komuniteti boshnjak.

Se nuk po respektohen të drejtat e komuniteteve në Prizren e thotë edhe opozita.

“Në komunën e Prizrenit kemi një mungesë të respektimit të të drejtave të këtyre komuniteteve, gati tre vite qeverisje të PDK-së në Prizren, ne kemi mungesë të nënkryetarit apo të nënkryetares për komunitete. Zakonisht ekzekutivi arsyetohet që komunitetet nuk po mund ta zgjedhin emrin e duhur”, tha Dafina Alishani nga VV-ja.

Tëvë1 ka provuar të kontaktojë edhe me asamblistë të komunitetit turk në komunë të Prizrenit, mirëpo deri në publikimin e kronikës, të njëjtët kanë qenë të paqasshëm.