Lajme

Produkte të skaduara, AKU bllokon disa ushqime dhe gjobit dyqanin

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka ushtruar kontrolle në një subjekt, ku janë gjetur disa produkte të skaduara.

Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e subjektit “N” ka rezultuar se aktiviteti ushtrohej në kushte të përshtatshme higjieno-sanitare dhe produktet ushqimore ruheshin sipas natyrës së tyre në kushte frigoriferike dhe rafte.

Nga verifikimi i produkteve ushqimore u konstatuan 20 kg produkte ushqimore me afat të kaluar përdorimi të llojit, sallamra, biskota, cornflakes, ëmbëlsira, brumëra, fruta të ngrira, gjalpë, kos dhe 8 litra produkte qumësht, vaj ulliri dhe majonezë të markave të ndryshme. Gjithashtu subjekti nuk dispononte një sistem efikas gjurmueshmërie të produkteve ushqimore dhe nuk implementon planin e vetëkontrollit HACCP.

Nga trupa inspektuese u krye bllokimi i menjëhershëm i kësaj sasie në subjekt me detyrim asgjësimin e tyre sipas legjislacionit në fuqi, si dhe u mor masa administrative me gjobë në vlerën e 500’000 lekëve.