Lajme

Profesori ‘godet’ Serbinë / Bytyçi: Dialogu i sabotuar nga Beogradi – kjo është thirrja e fortë për ndërkombëtarët!

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se dialogu me Serbinë nuk ka dështuar, duke theksuar se gjatë procesit janë arritur marrëveshje, por problemi kryesor, sipas tij, mbetet moszbatimi i tyre nga ana e Beogradit.

Gjatë debatit në një emission televizivë Kurti tha se marrëveshja nuk është e mirë por që ka bazë për tutje.

Dialogu nuk ka vdekur. Ka pasur sukses, ka rezultuar me marrëveshje. Problemi është që marrëveshjen s’e nënshkruan Serbia e as nuk po e respekton. Serbia përditë po e shkel. Unë e kam pranu marrëveshjen.

Ajo nuk është e shkëlqyeshme, por është bazë e mirë për më tutje. Edhe duket që Beogradi ka besuar që unë do të them jo për marrëveshje, por unë kam thënë po, dhe kur e kanë pa ku janë ndodh, nuk kanë pranu me nënshkru”, tha Kurti.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Profesori thotë se dialogu Kosovë–Serbi ka qenë i mbushur me manipulime dhe dështime, ku Kosova ka bërë lëshime ndërsa Serbia ka shmangur zbatimin e obligimeve.

Ai vlerëson se në periudhën e Kurtit Serbia ka luajtur rolin e viktimës me mbështetje edhe nga faktorë ndërkombëtarë dhe rajonalë, duke e paraqitur Kosovën si palën problematike.

Historia e bisedimeve ose asaj që i thuhet dialog midis Kosovës dhe Serbisë prej vitit 2011 e këtej është histori manipulimi, histori dështimi dhe histori gënjeshtrash të mëdha. Liderët e Kosovës, derisa Albin Kurti erdhi në pushtet, besonin se me lëshimet që i bëheshin Beogradit, Kosova do të bëhej anëtare e KiE-së, OSBE-së, OKB-së, BE-së dhe NATO-s. Më në fund qenë të gatshëm të nënshkruajnë ndarjen e territorit të vendit „mjafton ta qeqin qafe Serbinë“, nën logon „të na japin çfarë të na japin, mjafton që të shkëputemi përgjithmonë nga Serbia“! Ndërsa pala e Kosovës lëshoi vazhdimisht në qëndrimet dhe nënshkrimet e saj, Serbia firmoste për të marrë atë që i jepte marrëveshja e radhës dhe për të mos zbatuar obligimet e veta. Pra, çdoherë që kishte një marrëveshje, Kosova e pësoi, sepse Serbia nxirrte kërkesa të reja, të cilat e zhbënin shtetësinë e Kosovës.

Me këtë metodë liderët e Beogradit arritën që për një farë kohe të dominonin dialogun. Madje ta paraqesin Kosovën si përgjegjëse për dështimin e tij. Në periudhën e viteve të para të qeverisjes së zotit Kurti, edhe ky u paraqit si „njeriu problematik“ jo vetëm i dialogut, por edhe i paqes e stabilitetit në rajon. Ndodhi kjo, jo se Serbia bëri ndonjë hap në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por se zoti Kurti pa se koha e afateve të zbatimit të marrëveshjeve kishte kaluar dhe veproi me guxim për zbatimin e atyre marrëveshjeve. Kam parasysh dokumentet e Kosovës, targat, eliminimin e strukturave serbe në veri e në Kosovë etj. Gjatë këtyre akteve të qeverisë së Kosovës Serbia dhe presidenti i saj, Vuçiq, ia arritën ta luanin perfekt rolin e viktimës. Për këtë rol ata patën si partner edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si dhe ndonjë eksponent të politikës në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Patën gjithashtu ndihmën e drejtpërdrejtë të kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës, përgjegjës të BE-së për dialogun, Borrell dhe Lajçak e Epstein”, u shpreh profesori.

Kurti ishte i gatshëm të nënshkruante, Vuçiq tha se kishte dhimbje në dorën e djathtë

Tutje, Bytyçi thotë se Kurti është akuzuar padrejtësisht si faktor destabilizues në dialog, ndërsa në realitet presioni politik dhe ndërkombëtar e ka detyruar Kosovën të pranojë marrëveshje të pabalancuara pa nënshkrim nga Serbia.

Ai shton se BE ka qenë më i ashpër me Kosovën sesa me Serbinë, duke mos mbajtur premtimet për liberalizim vizash dhe duke kushtëzuar proceset eurointegruese të Kosovës.

E gjithë këta, përfshirë edhe Edi Ramën, e akuzuan zotin Kurti si njeriu që destabilizon marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, si njeriun që bllokon marrëveshjet e tjera. Në kushtet e një presioni të tillë Kurti pranoi marrëveshjen e Brukselit të shkurtit 2023 dhe aneksin e Ohrit të marsit të atij viti. Por as Kurti dhe as Vuçiq nuk e nënshkruan atë. Kurti ishte i gatshëm të nënshkruante, Vuçiq tha se kishte dhimbje në dorën e djathtë. Megjithëse aty u duk qartë se kush ishte pengesa, Kosova vazhdoi të penalizohet, madje asaj iu vendosën masa shtrënguese financiare nga ana e BE-së. Ishte koha e mjaltit në marrëdhëniet e Beogradit me Brukselin dhe Tiranën zyrtare. Kësisoj, për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, Bashkimi Evropian jo vetëm që ishte tolerant ndaj Serbisë, por ishte njëkohësisht shumë i rreptë me Kosovën.

Në fakt BE e gënjeu Kosovën, sa herë që përfaqësuesit e saj hodhën firmat për marrëveshje të pabalancuara e në favor të Serbisë. Më 2015-ën i thanë Kosovës „Voto marrëveshjen bazë me Serbinë, sepse do të liberalizojmë vizat për qytetarët e Kosovës“! Kosova firmosi, por BE nuk e mbajti fjalën. Vizat nuk u liberalizuan. Pastaj i thanë Ramush Haradinajt voto demarkacionin me Malin e Zi se vizat do t’i keni. Por sërish gënjyen. U liberalizuan vizat pas shumë vitesh, kur Albin Kurti erdhi në pushtet. Mesa duket deshën ta zbusin atë. Kurtit i thanë “Formoje Asosacionin, dhe ne do të të pranojmë në KiE”! Ndërkohë Kurti nuk e pranoi këtë kusht. Asambleja Parlamentare e KiE-së e votoi pranimin e Kosovës në këtë organizatë, të dytën më të rëndësishmen nga pikëpamja politike pas OKB-së, por ministrat e jashtëm e refuzuan këtë pranim. Ndodhi për herë të parë. U ndëshkua edhe në këtë rast Kosova, pavarësisht faktit se ishte Serbia ajo që refuzoi të zbatojë detyrimet e veta të nënshkruara që në vitin 2015 ndaj Kosovës”, shpjegoi profesori.

Deklarata e Kurtit se Serbia nuk i zbaton obligimet që ka marrë në marrëveshjet e nënshkruara është e saktë

Në fund, Bytyçi përfundon se deklarata e Kurtit është e saktë, pasi Serbia nuk i ka zbatuar obligimet e marra në marrëveshje dhe kjo e bën dialogun jofunksional në praktikë.

Ai thekson se Kosova duhet të jetë e kujdesshme në të ardhmen, duke mos bërë hapa pa njohje de facto dhe de jure nga Serbia dhe pa garanci për anëtarësim në OKB.

E gjitha këto janë fakte. Nuk i luan as topi. Ndaj dhe deklarata e kryeministrit të Kosovës se Serbia nuk i zbaton obligimet që ka marrë në marrëveshjet e nënshkruara është e saktë. Kurti thotë se dialogu nuk ka dështuar. Por në fakt ai nuk funksionon. Dhe natyrshëm nuk mund të funksionojë një dialog i tillë midis dy vendeve, ku fokusi kryesor vihet te „dhimbja e dorës së djathtë të liderit të Serbisë“ dhe jo te çështjet themelore të dialogut dhe zbatimit të tij. Një dialog që përfundon me marrëveshje dhe pala serbe thotë „Zbatoje ti detyrimin tënd, ta zbatoj unë më pas detyrimin tim“ është i dështuar që në themelet e tij. Kjo metodë mashtrimi e lidershipit serb është e njohur jo vetëm gjatë këtij dialogu, por në çdo marrëveshje tjetër. Këtë ka bërë dhe bën Serbia edhe në Bosnjë-Hercegovinë, ndaj dhe konflikti është ende i pazgjidhur pas 31 vitesh.

Edhe në të ardhmen Kosova duhet të bëjë kujdes. Asnjë hap nuk duhet lëshuar, nëse Serbia nuk do të jetë e gatshme ta njohë Kosovën jo vetëm de facto, por edhe de jure. Njohja de facto rikthehet në start, nëse nuk është edhe njohje de jure. Madje asnjë hap nuk duhet hedhur, nëse nuk garantohet pranimi në OKB. Vetëm pranimi në OKB e bën Kosovën shtet. Nuk e bën as pranimi e njohja de jure e Beogradit. Dhe për pranimin në OKB duhet vota unanime e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Këtë nuk e garanton as njohja de jure e Beogradit, çka nuk ka gjasa të vijë”, përfundoi profesori Bytyçi për “Bota sot”.

Të Ngjashme