Profesori Kolë Krasniqi ka thënë se ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk do ta ndryshonte automatikisht aktgjykimin e 16 shtatorit 2026 dhe as nuk do t’i ndërpriste procedurat gjyqësore në Hagë.
Ai vlerëson se çdo ndryshim ligjor duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Sipas tij, për çështjen e katër ish-krerëve të UÇK-së, apeli do të zhvillohej në Hagë, ndërsa çështjet e transferimit të mundshëm në Kosovë do të mund të shqyrtoheshin vetëm pas një vendimi të formës së prerë.
Krasniqi ka paralajmëruar se një ndryshim i ligjit pa shqyrtim të kujdesshëm juridik mund të krijojë konteste të reja institucionale dhe juridike.
Shkrimi i plotë:
A mund të japë ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara rezultatin e dëshiruar?
Kuvendi i Kosovës ka arsye dhe të drejtë të shqyrtojë dhe të miratojë ndryshime në Ligjin nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Megjithatë, miratimi i një ligji të tillë nuk do ta ndryshonte automatikisht aktgjykimin e 16 shtatorit 2026 dhe as nuk do t’i ndërpriste procedurat gjyqesore në Hagë. Efekti i tij do të varej nga përmbajtja e dispozitave të miratuara, përputhja e tyre me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare, si dhe nga mënyra e zbatimit të këtyre dispozitave në çështjet gjyqësore në zhvillim.
PDK-ja ka dorëzuar një projektligj që, sipas raportimeve për përmbajtjen e tij, synon ta kufizojë juridiksionin e Dhomave të Specializuara vetëm te veprat që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet e raportit të Dick Martyt. Projektligji propozon që çështjet që do të mbeteshin jashtë juridiksionit të përcaktuar rishtazi t’u kalonin institucioneve gjyqësore të Kosovës, së bashku me dosjet, provat dhe materialet tjera përkatëse.
Për proceset që tashmë zhvillohen në Hagë, projektligji parasheh vazhdimin e tyre sipas rregullave aktuale deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë. Kështu, edhe apeli në çështjen e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së do të zhvillohej në Hagë. Sipas qëllimit të deklaruar të kësaj nisme ligjore, pas përfundimit të apelit mund të shtrohej çështja e trajtimit në Kosovë të procedurave të mëtejshme, përfshirë edhe një rigjykim të mundshëm ose shqyrtimin e një mjeti të jashtëzakonshëm juridik. Mirëpo, kjo nuk mund të ndodhte automatikisht. Për këtë arsye, ligji i ri do të duhej të përcaktonte shprehimisht se cila gjykatë do të ishte kompetente, si do të transferohej çështja, çfarë statusi do të kishin vendimet e mëparshme gjyqësore dhe si do të dorëzoheshin dosjet dhe provat materiale mbi të cilat janë bazuar aktgjykimet. Këtu, posaçërisht, duhet sqaruar raporti i këtyre propozimeve ligjore me kompetencën që Ligji aktual nr. 05/L-053 ia njeh Panelit të Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara edhe për shqyrtimin e mjeteve te jashtzakonshme juridike, siç është kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Projektligji propozon gjithashtu që dënimi maksimal të jetë 15 vjet burgim, që dënimet të ekzekutohen në Kosovë dhe që personat e dënuar të mund t’i nënshtrohen faljes presidenciale. Këto dispozita nuk kanë hyrë në fuqi dhe nuk e ndryshojnë vetvetiu dënimin e shqiptuar në shkallë të parë. Projektligji është dërguar në Qeveri për mendim.
Më 28 shtator, Kuvendi miratoi një deklaratë lidhur me aktgjykimin. Ajo shpreh qëndrim politik dhe institucional, por nuk e ndryshon ligjin, nuk ua heq Dhomave të Specializuara kompetencën dhe nuk e anulon aktgjykimin. Deklarata e miratuar dhe projektligji në shqyrtim janë dy veprime të ndryshme.
Çështja themelore juridike është se themelimi dhe veprimtaria e Dhomave të Specializuara mbështeten jo vetëm në Ligjin nr. 05/L-053, por edhe në nenin 162 të Kushtetutës dhe në marrëveshjet ndërkombëtare përkatëse, përfshirë rregullimet me Bashkimin Evropian dhe me Holandën si shtet pritës. Sipas nenit 19 të Kushtetutës, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara kanë epërsi ndaj ligjeve të Kosovës. Prandaj, çdo ndryshim ligjor duhet të vlerësohet në raport me këto baza. Kuvendi ka kompetencë për ta ndryshuar ligjin, por ushtrimi i kësaj kompetence i nënshtrohet Kushtetutës dhe detyrimeve ndërkombëtare.
Për çështjen e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, dallimi është vendimtar. Projektligji, siç është përshkruar publikisht, nuk parasheh që apeli të zhvendoset menjëherë në Kosovë. Prandaj, pyetjet për transferimin e kompetencës shtrohen kryesisht për një fazë të mundshme pas vendimit të formës së prerë. Një ligj i ri nuk e zëvendëson vendimin e gjykatës së apelit; për kundërshtimin e aktgjykimit të shkallës së parë, mjeti i drejtpërdrejtë dhe i vetem juridik mbetet apeli.
Sipas vlerësimit tim, Kuvendi duhet ta zhvillojë këtë debat me përgjegjësi dhe të kërkojë respektimin e plotë të standardeve të gjykimit të drejtë. Para votimit te ligjit te propozuar, duhet ta shqyrtojë me kujdes nëse ndryshimi i propozuar përputhet me Kushtetutën, marrëveshjet ndërkombëtare dhe të drejtat e palëve në proces. Në të kundërtën, nisma për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara mund të krijojë kontest të ri juridik e institucional dhe tensione te panevojshme me partnerët strategjikë perëndimorë, pa prodhuar rezultatin e dëshiruar.
Ky është vetëm vlerësimi im e Jo konkludim se projektligji është i paarsyeshëm apo antikushtetues!!!
