Lajme

Të akuzuarit për sulmin në Ibër-Lepenc dalin para gjykatës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot mbahet seanca ndaj dy  të akuzuarve Jovan Viqentijeviq dhe Dragisha Viqentijeviq,  për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në vitin 2024 në Zubin Potok.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, Jovan Viqentijeviq dyshohet se bashkë me vëllain e tij, Dragisha Viqentijeviq, me qëllim kanë dëmtuar pajisjen e ujësjellësit dhe kanë kryer veprën terroriste, duke përdorur eksploziv.

Për rastin ngarkohet edhe Igor Dimoviq.

Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon të tre të pandehurit për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq përballen edhe me akuza për rrezikimin e rendit kushtetues përmes shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike, kryerjen e veprës terroriste dhe spiunazh.

Shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut në nëntor të vitit 2024, i cili dyshohet se u bë me rreth 20 kilogramë eksplozivë, autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar si sulm terrorist, kurse Serbinë e kanë bërë përgjegjëse për të.

Të Ngjashme