Shërbimi Korrektues i Kosovës ka arritur një sukses të rëndësishëm ndërkombëtar, duke u renditur në mesin e pesë iniciativave më të mira në çmimin evropian EuroPris Prison Award me projektin “Art from Prison: Transforming Incarceration into Opportunity”.
Në ceremoninë e mbajtur në Maltë, në kuadër të Mbledhjes së 15-të të Përgjithshme Vjetore të EuroPris, projekti i Kosovës u përzgjodh ndër pesë finalistet më të mira, krahas Francës, Spanjës, Portugalisë dhe Greqisë.
Projekti, i realizuar nga Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan në bashkëpunim me OJQ MONUMENTA, është vlerësuar për qasjen inovative në fuqizimin e grave të dënuara përmes artit, zhvillimin e aftësive kreative dhe krijimin e mundësive për integrim në shoqëri.
Sipas panelit vlerësues të EuroPris, iniciativa është dalluar për cilësinë, ndikimin dhe qasjen bashkëkohore në rehabilitimin dhe risocializimin e të burgosurave.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, falënderoi stafin korrektues, menaxhmentin e Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan dhe partnerët nga OJQ MONUMENTA për përkushtimin e treguar në realizimin e projektit.
Ai theksoi se renditja në mesin e pesë më të mirëve në Evropë përbën dëshmi të avancimit të programeve rehabilituese në sistemin korrektues të Kosovës dhe motiv shtesë për ngritjen e mëtejme të standardeve profesionale.
Ky vlerësim ndërkombëtar konfirmon përkushtimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës për promovimin e praktikave moderne dhe qasjeve efektive në rehabilitim dhe risocializim.
