Procedurat e negocimit për prokurimin publik në Kosovë dhe kontratat e fituara ngjallin shqetësime për nivelin e konkurrencës dhe transparencës në prokurim publik, dilema këto të cilat u ngritën në tryezën e organizuar nga KDI e që për qëllim kanë reformën drejt performancës në prokurimin publik në Kosovë.
“Të bëhet një analizë e efikasitetit të proceduarave të konkurrencës dhe sigurimit të vlerës si dhe të propozohen reforma ligjore të cilat mbështesin jo vetëm digjitalizimin dhe modernizim por formim strukturor të gjithë procesit”, tha Diana Matoshi Krasniqi, koordinatore për avokim dhe hulumtim në KDI.
Ndërsa synohet reforma drejt performancës dhe cilësisë, duke reflektuar mbi përvojat e deritanishme në prokurimin publik, pjesëmarrësit në panel nënvizuan se reforma është e domosdoshme duke garantuar më shumë transparencë dhe llogaridhënie.
“Roli jonë sot edhe tutje do të ishte me qenë qysh mundemi me i përmirësu, tash sfida e parë është a ka vullnet politik, institucionet përkatëse edhe spektri horizontal të institucioneve tjera të cilat lidhen me proceset e prokurimit, me pas grup punues m atë gjanë edhe me pas gjithë përfshirje që është parimi i bazë i shoqërive demokratike”, tha Eliza Hoxha deputete e Kuvendit të Kosovës.
“Buxhetimi është ne fillim problem buxheti shtrihet aq shumë për një projekt të caktuar që është dembeli institucionale projekt me nda thjeshtë në katër pesë vite, kjo i pengon edhe komunat edhe ministritë me kry një punë si duhet”, tha Janina Ymeri deputete e Kuvendit të Kosovës.
Presioni mediatik dhe verdikti i votës qytetare u konsideruan si faktor të rëndësishëm të llogaridhënies për të garantuar një prokurim publik të drejtë dhe efikas. Megjithatë reforma e vërtetë kërkon transparencë të plotë, mbikëqyrje të vazhdueshme dhe zbatim të pa kompromis të ligjit,mund të ndërtohet një sistem prokurimi i cili mbron interesin publik dhe siguron që çdo euro e taksapaguesve të shndërrohet në vlerë reale për qytetarët.
