Organi i akuzës në kryeqytet e akuzon kompozitorin Adrian Hila për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Mësohet se kjo akuzë e re ndaj tij është ngritur pasi hetuesit kanë konstatuar se hard disku (memoria) e sistemit të kamerave ishte shkatërruar qëllimisht.
Hetuesit kanë tentuar të shohin hard-diskun e kamerave, për të parë çfarë materialesh ka në të, kur janë regjistruar ato dhe nëse në memorien kompjuterike ka pasur ndërhyrje të jashtme.
Mirëpo, nga këqyrja që i është bërë pajisjes së administruar, është konstatuar se ajo ka pasur dëmtime të qëllimshme dhe menjëherë në lidhje me këtë fakt është pyetur edhe kompozitori Adi Hila, si pronar i hard-diskut.
Ai ka deklaruar se e kishte shkatërruar vetë hard-diskun dhe në përgjigje të interesit të hetuesve se si dhe përse kishte ndodhur kjo, Adi Hila ka pretenduar se e kishte dëmtuar memorien e kamerave sepse kishte frikë se hakerat mund të ndërhynin sërish dhe të merrnin të dhëna të tjera.
Ky pretendim i kompozitorit, në fakt ka ngritur dyshime mbi pohime të mëparshme të tij, se kamerat nuk kishin memorie, por vetëm regjistronin në moment dhe nuk kishin kapacitet ruajtës.
Dëmtimi i hard-diskut nga frika se prej tij hakerat mund të merrnin materiale të tjera, konfirmon se kamerat që Adi Hila kishte vendosur në shtëpi kanë pasur memorie dhe ai e ka ditur këtë fakt, ndaj hetimet e drejtuara nga prokurori Julian Xhengo pritet të zbardhin mënyrën sesi videot intime përfunduan në sajte për të rritur.
