Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar lidhur me pretendimet e partnerëve ndërkombëtarë se amendamentet për Dhomat e Specializuara mund të jenë në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Në reagimin e saj, OVL-UÇK i cilëson këto pretendime si “të paqëndrueshme dhe të papranueshme”, duke theksuar se asnjë detyrim ndërkombëtar, sipas saj, nuk mund të përjashtojë institucionet e Kosovës nga rendi kushtetues, mbikëqyrja demokratike dhe llogaridhënia.
“Dhomat u krijuan për të shqyrtuar pretendime të caktuara që burojnë nga raporti i Dick Martyt. Mandati dhe praktika e tyre kanë devijuar nga ai qëllim, duke e kthyer drejtësinë selektive në aktakuzë të zgjatur kundër luftës së drejtë çlirimtare të UÇK-së dhe luftëtarëve që luftuan në të”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Sipas kësaj organizate, institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi për mbrojtjen e sovranitetit shtetëror, parimit të barazisë para ligjit dhe dinjitetit të atyre që, siç shprehet OVL-UÇK, “fituan lirinë e Kosovës”.
“Institucionet e Kosovës e kanë për detyrë të mbrojnë sovranitetin shtetëror, barazinë para ligjit dhe dinjitetin e atyre që fituan lirinë tonë”, thekson OVL-UÇK.
Organizata u bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë që, në vend se të kundërshtojnë nismat parlamentare, të përballen me atë që OVL-UÇK e konsideron si devijim të mandatit të Dhomave të Specializuara.
“Partnerët tanë duhet të përballen me këtë devijim dhe jo të pengojnë veprimin e ligjshëm parlamentar që e korrigjon atë”.
