Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit ., i cili dyshohet për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Sipas aktakuzës, dyshohet se ai, në cilësinë e personit të rekrutuar, ka ndihmuar veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Serbisë.
“Sipas aktakuzës, F.Sh., nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si “BIA”, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Ai dyshohet se me Shërbimin Informativ të Serbisë, i njohur si “BIA”, ka ndarë informacione lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
“I pandehuri F.Sh. akuzohet se ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në aktakuzë.
Ndërkaq, për veprën penale “Shantazhi”, ai akuzohet se gjatë periudhës nga viti 2022 deri në dhjetor 2025, ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në shumën që tejkalon 13 mijë euro.
“Sipas aktakuzës, F.Sh. i ka kërkuar të dëmtuarit para në emër të huazimit, duke e kërcënuar se, në rast të mosdhënies së parave, do të publikonte në media video-incizime dhe informacione që do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin e të dëmtuarit”, bëhet e ditur më tej në aktakuzë.
Lidhur me rastin, bëhet e ditur se çështja tashmë ka kaluar në shqyrtim në Gjykatën Themelore, ndërsa i pandehuri ndodhet nën masën e paraburgimit.
