Nga maji i vitit 1999, nuk dihet asnjë gjë për fatin e Ukshin Hotit.
Ai deri në këtë kohë ishte në burgun e Dubravës, por që u transferua në drejtim të panjohur.
Indikacione se mund të ketë informacione me atë se çfarë ndodhi me Hotin, ka dhënë Momir Pantiq, ish kryeshef i stacionit policor në Istog.
“Unë kam kërkuar se ajo se çfarë ka ndodhur me Ukshin Hotin, me kërkesën e familjarëve të tij, që më kanë thirr në vititn 1999 dhe këtë do ta them në fjalën përfundimtare. Dhe doja ta thoja se dëshira ime ka qenë ta kuptoja fatin e Ukshin Hoti në Dubravë. Unë nuk dua që asnjë krim të fshihet”, ka thënë Pantiq.
Për fatin e tij, pak muaj më herët, rezulton të jetë angazhuar Prokuroria Speciale.
“A ka mundësi që ky i akuzuar të bëjë një deklaratë me shkrim që t’i drejtohet Prokurorisë Speciale nëse ka njohuri se ku mund të gjindet trupi i pajetë”, u shpreh tutje Salihu – Shamolli.
“Gjatë verës e kemi kuptu nga i akuzuari se kolegu juaj nga Prokuroria Speciale e ka marrë në pyetje të akuzuarin në qendrën e paraburgimit në lidhje me atë rast”, ka thënë Shala.
Këto u thanë në gjyqin për krime lufte, ku të akuzuar janë Momir Pantiq dhe Zharko Zariq.
Me kërkesë të Pantiqit, këtë seancë dëshmoi Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Momir Pantiq kishte përgatitur një varg pyetjesh për dëshmitarin.
“A kemi qenë unë dhe ti në 2002-2003 në punëtori të përbashkëta në lidhje me të zhdukurit?”, ka pyetur Pantiq.
“Nuk më kujtohet që njihemi, që kemi kontaktuar ndonjëherë apo jemi takuar në ndonjë takim. Mund të ndodhë, por mua nuk më kujtohet”, tha Blakaj.
Pjesë e pyetjeve ishin edhe disa persona që edhe sot e kësaj dite rezultojnë të zhdukur.
“Një rast që më kujtohet dhe që është edhe sot si person i zhdukur, është zhdukur në shtëpinë e tij në qytetin e Istogut,është mësuesi Haxhi Kajtazi”, u shpreh tutje Blakaj.
“Polici Fadil Ramaj i ka njoftuar se anëtarët e ushtrisë e kanë gjuajtur dhe e kanë plagosur mësuesin Haxhi Kajtazi. …. Ndëra, trupi i mësuesit është varrosur tek varrezat e qytetit”, ka thënë tutje Pantiq.
“Emri i tij ndodhet tek lista e personave të zhdukur dhe trupi i tij ende nuk është identifikuar dhe nuk i është dorëzuar familjes”, tha Blakaj.
Pantiq dhe Zariq akuzohen për vrasjen e shqiptarëve në zonën e Istogut, në mesin e tyre edhe të 18 të burgosurve në burgun e Dubravës.
