Situata para Ministrisë së Arsimit në Tiranë paraqitet e qetë, ndërsa pritet zhvillimi i protestës së studentëve dhe gjimnazistëve. Gazetarja Keti Toroveci ka raportuar se deri në këto momente protesta nuk ka nisur, ndërsa para godinës së Ministrisë janë pozicionuar forca policie, si dhe janë parkuar automjetet ujëhedhëse, të cilat ndodhen në gatishmëri.
Sipas gazetares, në rrjetet sociale ishte paralajmëruar që gjimnazistët të mblidheshin rreth orës 10:00 në Rrugën e Durrësit, ndërsa në orën 11:00 pritej t’u bashkoheshin edhe studentët.
Nga informacionet e raportuara, studentët kanë zhvilluar një mbledhje rreth orës 09:00 në institucionet e arsimit të lartë, ku kanë diskutuar organizimin dhe hapat që do të ndiqnin gjatë ditës. Pas takimeve, ata kanë nisur marshimin nga fakultetet përkatëse në drejtim të Ministrisë së Arsimit, ku pritet të bashkohen me gjimnazistët. Ndërkohë, policia vijon të jetë e pranishme në zonë për të monitoruar situatën dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë protestës.
“Në Ministrinë e Arsimit situata duket e qetë momentalisht. Ende nuk ka nisur protesta. Ka lëvizje të automjeteve në Rrugën e Durrësit. Ka forca policie, nuk janë të shumta, të pozicionuara para Ministrisë së Arsimit.
Janë të parkuara edhe makinat ujëhedhëse pranë ministrisë, për të qenë në gatishmëri. Në rrjetet sociale ishte paralajmëruar se studentët do të mblidheshin rreth orës 10:00 në Rrugën e Durrësit. Është njoftuar që studentët do t’u bashkoheshin gjimnazistëve në orën 11:00.
Nga informacionet që kemi, ata janë duke marshuar nga fakultetet përkatëse drejt Ministrisë. Ka pasur një mbledhje të tyre në orën 09:00 në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, për të ndarë detyrat dhe për të vendosur se çfarë do të bëhet sot. Më pas, kanë nisur marshimin drejt godinës së Ministrisë së Arsimit”, bëri me dije gazetarja Toroveci.
