
Ish-kryeministri Sali Berisha nga dritarja e banesës së tij u ka bërë thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen protestës të së hënës. Gjithashtu ai është shprehur se edhe socialistët duhet të bashkohen me opozitën në protestë, pas dëshmisë që Arben Ahmetaj dha ku tregoi se si kryeministri Edi Rama e kishte kërcënuar.
Berisha theksoi se kjo protestë është thirrje, frymëzim për çdo socialist, pasi Edi Rama sipas tij ka për të përsëritur të njëjtat kërcënime.
Ai e cilësoi kreun e qeverisë si “një padrino, i cili kur kërcënon zëvendësin e tij, ndihmësin, bashkëpunëtorin e tij kryesor, imagjinoni se çfarë mund të bëjë me qytetarët e thjeshtë”.
“Por protesta juaj është frymëzim dhe shpresë për të gjithë ata socialistë, të cilët binden se Rilindja ishte përbindëshi që shkatërroi jo vetëm Shqipërinë, por edhe idealet e tyre, edhe partinë e tyre. Kjo protestë është shpresë për çdo socialist që beson se partia e tij nuk mund të ketë një zë, një votë, një njeri, Edi Ramën.
Kjo protestë është thirrje, frymëzim për çdo socialist që dëgjoi nga goja e njeriut të dytë më të fuqishëm të partisë së tyre, zëvendëskryeministrit, se si Edi Rama në kryesinë e partisë së tij do t’i përsëriste ekzakt të njëjtën frazë, të njëjtin kërcënim me kokë dhe jetë njëlloj si Enver Hoxha në Byronë Politike, armiqve të tij. Ndaj dhe socialistë të ndershëm, e keni mision të ngriheni kundër tij.
Se Edi Rama nuk është gjë tjetër veçse një padrino, i cili kur kërcënon zëvendësin e tij, ndihmësin, bashkëpunëtorin e tij kryesor, imagjinoni se çfarë mund të bëjë me ju”, tha Berisha.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Arben Ahmetaj u deklaroi shqiptarëve se ndërsa merrej me laminatet dhe pllakat në banjon dhe kuzhinën e tij, nuk merrej me zhdukjen e 60 milionë eurove në Dubai, para të paguara nga taksapaguesit për ndërtimin e djegësit të Tiranës.
A ka dëgjuar ndonjë prej jush se çfarë u bë me 30 milionë euro që u faturuan në sipërmarrje të të moshuarve në azil të pleqve? Çfarë u bë me to?
Dumani i partisë merret me pllakat dhe laminatet, por nuk merret me 130 milionë euro të zhdukura për ndërtimin e djegësit të Tiranës, për të cilin nuk ekziston asnjë gjurmë.
Të gjitha këto pra dëshmojnë rëndësinë jetike të protestës suaj.
E hëna është një ditë e madhe, është një ditë e bardhë, është dita juaj para parlamentit shqiptar.
Ndaj dhe unë u bëj thirrje demokratëve kudo që janë, u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen në protestën e fuqishme të ditës së hënë para parlamentit për t’i rikthyer tempullin e demokracisë shqiptarëve të lirë, për t’i rikthyer parlamentin qytetarëve sovranë që kanë votuar, për të mbrojtur aty pluralizmin, për të mbrojtur aty të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Edhe njëherë mirënjohje të pakufishme për qëndresën tuaj, për protestën tuaj.
Rrofshi ju, rroftë opozita, rroftë Shqipëria!
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo