Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se protestat e dhunshme në Shqipëri janë shqetësuese.
Haxhiu e pyetur nga gazetarët pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se nuk e mbështesin dhunën nga asnjëra palë, ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve të dëgjojnë kërkesat e protestuesve.
“Ajo çka po ndodhë atje sigurisht që na shqetëson të gjithëve, sepse Shqipëria për ne është shtëpi. Është shumë e rëndësishme që kërkesat e protestuesve të dëgjohen nga institucionet. Nuk e mbështesim dhunën, dhuna të ndalohet nga të dyja palët. Thërras që me maturi, seriozitet të ndalohen ndasitë”, ka thënë Haxhiu, raporton teve1.info.
Sa i përket raportimeve se mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje po marrin pjesë në protestën në Shqipëri, ajo ka thënë se si parti nuk kanë bërë thirrje që të mbështetet protesta, duke thënë se nuk u takon në gjë e tillë.
Nuk ka pasur thirrje nga Lëvizja Vetëvendosje që të mbështeten protestat, nuk i takon Vetëvendosjes kjo. Vetëvendosje ka mbështetje të madhe qytetare, por nuk mund të fajësohet nëse mbështetësit tani marrin pjesë në protestë”, ka thënë Haxhiu.
Protesta në Shqipëri ka hyrë në ditën e shtatë, ku ka pasur përleshje në mes policisë dhe protestuesve.
Protestuesit u kanë vënë zjarrin disa institucioneve shtetërore, ndërsa me dhjetëra policë e protestues janë lënduar gjatë këtyre ditëve.
