Donart Humolli nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka folur në emisionin “Ditari” në TeVe1 për protestën e organizuar në Prishtinë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Ai tha se studentët shqiptarë atje kanë kërkesa të arsyeshme dhe bazë të fortë për të protestuar, pasi sipas tij, atyre nuk po u lejohet t’i nënshtrohen provimeve të jurisprudencës dhe provimeve të tjera në gjuhën shqipe.
“Natyrisht se studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë kërkesa të arsyeshme dhe bazament të fortë për të dalë në protesta, për arsye se në provimet e jurisprudencës dhe në provime të lëndëve të tjera nuk po u lejohet të marrin pjesë në gjuhën shqipe. Rrjedhimisht, ne si studentë të Universitetit të Prishtinës kemi dashur që të solidarizohemi me studentët tanë atje”, ka deklaruar Humolli.
Sipas tij, protesta do të mbahet të premten, më 5 qershor, pranë Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.
“Ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe studentët e Universitetit të Prishtinës, që t’i bashkohen kësaj proteste. Është një protestë paqësore dhe qytetare me një kauzë të drejtë, pasi Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet t’i respektojë Kushtetutën dhe ligjin për gjuhën. Megjithatë, duhet të jemi të qartë se kjo protestë nuk synon të ndërhyjë në politikat e brendshme të Maqedonisë së Veriut”, tha ai.
Humolli foli edhe për pritshmëritë nga kjo protestë, duke theksuar se qëllimi është që kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut të marrin sa më shumë mbështetje.
“Ne po mundohemi që si studentë ta bëjmë këtë protestë sa më masive dhe që kjo kërkesë të çohet përpara. Patjetër që si Parlament Studentor do të mbështesim çdo protestë që mbahet për këtë situatë dhe do të jemi pranë tyre”, u shpreh Humolli.
