ShowBizzz

Protestuesit kërkojnë prej ditësh dorëheqjen e Ramës, reagon Princ Leka

Teksa protestat kundër projektit në Zvërnec kanë hyrë në ditën e 19-të dhe kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama vazhdojnë të dëgjohen në tubimet e qytetarëve, ka ardhur edhe reagimi i Princ Lekës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, duke ndalur vëmendjen te debati për mbrojtjen e mjedisit, transparencën institucionale dhe zërat e qytetarëve që prej ditësh janë pjesë e protestave.

Princ Leka thekson se natyra shqiptare nuk duhet parë vetëm si një burim zhvillimi ekonomik, por si pjesë e identitetit dhe trashëgimisë kombëtare.

Natyra e Shqipërisë nuk është thjesht një pasuri ekonomike apo një burim zhvillimi. Ajo është pjesë e identitetit tonë, e kujtesës sonë kolektive dhe e trashëgimisë që do t’u lëmë brezave që vijnë”, shkruan ai.

Në mesazhin e tij, ai vlerëson angazhimin e qytetarëve dhe kërkesën e tyre për më shumë transparencë në vendimmarrje.

Pikërisht për këtë arsye, është inkurajuese të shohësh kaq shumë qytetarë që angazhohen, që ngrenë pyetje dhe që kërkojnë të dëgjohen. Një shoqëri e gjallë nuk është ajo që hesht, por ajo që kujdeset për të ardhmen e saj”, shprehet Princ Leka.

Ai shton se Shqipëria ka nevojë për zhvillim, por edhe për institucione të forta dhe dialog të sinqertë mes palëve.

Shqipëria ka nevojë për zhvillim, por po aq ka nevojë për institucione të forta, për dialog të sinqertë dhe për vendime që ndërtojnë besim. Vetëm kështu mund të ecim përpara pa humbur atë që na bën unikë dhe pa lënë pas vlerat që duam të mbrojmë”, përfundon reagimi i tij.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, Princ Leka u pa edhe në protestën e organizuar në Tiranë, ku mori pjesë së bashku me bashkëshorten Blerta Celibashi dhe vajzën e tyre, Geraldinën.

Të Ngjashme