Lajme

VV: 2,18 milionë euro nga fondet e BERZH-it u shpenzuan jashtë destinimit

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka akuzuar qeverisjen komunale të Përparim Ramës për ridestinim të 2.18 milionë eurove nga fondet e kredisë së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të cilat ishin të dedikuara për investime në efiçiencën e energjisë në ndërtesat publike.

Në një komunikatë për medie, VV-ja i është referuar gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, sipas të cilave janë identifikuar shpenzime në vlerë prej 2,180,417 eurosh për projekte që, sipas auditimit, nuk ishin të përfshira në marrëveshjet e financimit me BERZH-in.

Sipas VV-së, këto mjete ishin të destinuara për përmirësimin e efiçiencës së energjisë në shkolla, çerdhe dhe ndërtesa të tjera publike, përfshirë sistemet e ngrohjes, izolimin termik dhe zëvendësimin e dyerve e dritareve.

Tutje thuhet se vetëm për kontratat e ndriçimit publik janë shpenzuar 700,374 euro nga këto fonde, ndonëse, sipas saj, këto punime nuk ishin pjesë e marrëveshjeve me BERZH-in. VV-ja ka theksuar se këto kontrata i kishte denoncuar më herët në Prokurorinë Speciale.

Në reagim, VV-ja ka lidhur këtë çështje edhe me gjendjen në shkollat e kryeqytetit, duke pretenduar se nxënësit dhe mësimdhënësit në disa shkolla po përballen me mungesë të ngrohjes adekuate, gjë që po vështirëson zhvillimin e procesit mësimor.

Po ashtu, VV ka kritikuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, duke thënë se pretendimet e tij për bllokim të fondeve nga niveli qendror nuk qëndrojnë, bazuar në gjetjet e auditimit.

VV-ja ka kërkuar përgjegjësi institucionale dhe ligjore për shpenzimin e mjeteve jashtë destinimit, si dhe hetimin e vendimmarrjes, autorizimit të pagesave dhe përgjegjësisë së zyrtarëve të përfshirë.

Po ashtu ajo ka kërkuar që të sqarohet edhe ndikimi i këtyre shpenzimeve në realizimin e investimeve për ngrohjen e shkollave, duke theksuar se nxënësit dhe mësimdhënësit nuk duhet të bartin pasojat e vendimeve financiare të institucioneve komunale.

Të Ngjashme