Lajme

Provimi i Maturës mbahet më 29 gusht, mbi 4,900 kandidatë të aprovuar

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se Provimi i Maturës do të mbahet të shtunën, më 29 gusht 2026, duke filluar nga ora 10:00, në 55 qendra të testimit në vend.

Sipas njoftimit të MASH-it, përmes platformës eKosova kanë aplikuar gjithsej 5,033 kandidatë për t’iu nënshtruar Provimit të Maturës. Pas shqyrtimit dhe verifikimit të aplikimeve, janë aprovuar 4,967 kandidatë.

Ministria ka bërë të ditur se komisionarët dhe administruesit duhet të jenë të pranishëm në qendrat përkatëse të testimit një orë para fillimit të provimit, me qëllim të sigurimit të organizimit dhe mbarëvajtjes së procesit.

Ndërkohë, kandidatët duhet të paraqiten në qendrën e testimit të përcaktuar në listat përfundimtare dhe të kenë me vete dokumentin përkatës të identifikimit.

MASH ka kërkuar respektimin e plotë të udhëzimeve dhe rregullave për administrimin e provimit, në mënyrë që procesi të zhvillohet në mënyrë të rregullt, të sigurt dhe të barabartë për të gjithë kandidatët.

Të Ngjashme