Pesëqind vjet më parë, duke shkruar “Princi”-n, Nicolo Machiavelli u ofroi këshilla liderëve që përpiqeshin të rrisnin pushtetin e tyre. “Do t’i shërbente [Princit] të dukej i devotshëm, besnik, njerëzor, i vërtetë, fetar dhe madje të ishte i tillë,” shkroi ai, “por vetëm nëse ai dëshiron, dhe nëse do të jetë e nevojshme, të veprojë në mënyrë të kundërt.” Me fjalë të tjera, mos u kapni fort pas vlerave tuaja, sepse askush tjetër nuk do ta bëjë.
Shekuj më vonë, ai pasazh ende përmbledh në mënyrë të përsosur një pikëpamje cinike të botës. Cinikët besojnë se qeniet njerëzore janë në thelb robër të interesave vetjake. Kjo do të thotë gjithashtu se ndërveprimet mes njerëzve janë në thelbin e tyre një luftë e pamëshirshme darviniane për mbijetesë, ku rruga drejt suksesit kërkon të parakalosh, anash ose edhe mbi njerëzit përreth teje.
Shumë prej nesh ndjekin këtë logjikë të zymtë. Më shumë se gjysma e prindërve besojnë se për të pasur sukses, fëmijët duhet ta mendojnë botën si të ashpër dhe të rrezikshme. Sipas profesorit legjendar të menaxhimit Sumantra Goshal, studentët e MBA mësohen se “kompanitë duhet të konkurrojnë jo vetëm me konkurrentët e tyre, por edhe me furnitorët, punonjësit dhe rregullatorët”. Në Silicon Valley, liderë të shkëlqyer, por toksikë, si Steve Jobs, lartësohen dhe – shumë shpesh – imitohen.
Duke ndjekur këshillën e Makiavelit, cinikët sakrifikojnë marrëdhëniet dhe parimet, për të fituar. Por, studimet në fakt tregojnë se ata humbasin. Një valë e re e shkencës së sjelljes ka zbuluar se, gjatë karrierës, mendimi cinik qëndron si pengesë në rrugën e suksesit. Prindërit mund të mendojnë se fëmijët e tyre do të lulëzojnë nëse e shohin botën si konkurruese, por njerëzit me këtë mentalitet fitojnë më pak para dhe raportojnë kënaqësi më të ulët në punë.
Studime të tjera ndjekin njerëzit dhe ecurinë e tyre me kalimin e kohës, duke testuar cinizmin e tyre në një moment dhe duke i ndjekur vite më vonë për të matur rezultatet profesionale. Dhe këtu, gjërat janë edhe më të qarta dhe akoma më keq për cinikët. Gjatë një periudhe dhjetëvjeçare, paga e tyre rritet me pothuajse një të tretën e normës së jocinikëve dhe ata kanë më pak gjasa të ngrihen në pozicione drejtuese. Pse? Krahasuar me homologët e tyre më të besueshëm, cinikët shfaqin një uri më të madhe për pushtet dhe e ndjekin atë në mënyra të ndryshme.
Të sigurt se të tjerët do të përfitojnë prej tyre nëse u jepet mundësia, ata hidhen në ofensivë, duke manipuluar së pari të tjerët. Makiaveli do të ishte krenar. Ai u kërkon udhëheqësve të dominojnë të tjerët, duke preferuar që t’ua kenë frikën, më mirë se sa t’i duan.
Studimet zbulojnë se veprimet imponuese, të tilla si frikësimi i kolegëve dhe lëpirja e eprorëve, priren të ndërtojnë fuqinë e njerëzve në vendin e punës. Por po ashtu bëjnë edhe veprimet e tilla si ndarja me bujari me kolegët. Studimet tregojnë se cinikët përdorin vetëm strategji dominuese për të ecur përpara. Kjo i lë të izoluar dhe në fund u vendos një tavan në suksesin e tyre.
E thënë thjesht, cinikët luajnë lojën e gabuar. Suksesi nuk është një betejë mbretërore ku fituesi i merr të gjitha. Njerëzit më shpesh fitojnë duke ndërtuar lidhje dhe aleanca të besueshme. Edhe nëse një individ arrin drejt majës, është ekipi i tyre që shpesh paguan çmimin.
Psikologët kohët e fundit analizuan nivelet e narcisizmit në tweet-et e lojtarëve të NBA dhe zbuluan se skuadrat me nivele më të larta të narcisizmit fitonin më pak ndeshje. Pse? Për të konkurruar në nivelin më të lartë, shokët e skuadrës duhet së pari të ndalojnë përpjekjet për të kapërcyer njëri-tjetrin.
Çelësi është besimi
Rreth 10 vjet më parë, ekonomistët studiuan dy fshatra peshkimi në Brazilin Juglindor. Njëri ndodhej pranë oqeanit, ku peshkimi kërkon varka të mëdha, pajisje të rënda dhe punë në ekip. Tjetri kufizohej me një liqen, ku peshkatarët niseshin me varka të vogla dhe luftonin me njëri-tjetrin për vendet më të mira. Studiuesit testuan nivelet e bashkëpunimit, besimit dhe bujarisë në të dy komunitetet. Peshkatarët që punonin në det dhe liqen filluan me profile të ngjashme sociale. Por sa më gjatë që peshkonin në liqen, aq më shumë dyshues dhe egoistë bëheshin, edhe jashtë punës.
Shumë vende pune funksionojnë si qytete liqenore. Sidomos në “kulturat e gjenive”, arritjet personale vlerësohen mbi të gjitha, edhe pse njerëzit e talentuar janë një makth për të punuar me ta. Studimet zbulojnë se ky mentalitet gërryen besimin dhe i fut njerëzit në një luftë konkurruese që mund të dëmtojë shumë prej tyre në afat të gjatë. Por liderët mund të krijojnë fshatra oqeanike, të cilat i përdorin njerëzit në forma komunale të pushtetit.
Cinizmi është rritur vazhdimisht gjatë 50 viteve të fundit, duke futur shumë prej nesh në një kurth mendor ironik. Kur njerëzit besojnë se duhet të luftojnë në rrugën e tyre drejt majës, ata kanë më pak gjasa të arrijnë atje. Por liderët kanë një mundësi të fuqishme për të kundërshtuar këtë prirje, duke krijuar kushte në të cilat njerëzit mund të shprehin dëshirën për një kulturë më bashkëpunuese, pozitive dhe ta shohin këtë dëshirë tek të tjerët. Ata mund të sjellin avantazhin e bashkëpunimit në komunitetet e tyre dhe t’i ndihmojnë njerëzit të fitojnë ashtu siç dëshirojnë shumica prej nesh – së bashku. / HBR – Bota.al
BotaM