Po shihja para pak ditësh lajmet në një TV amerikan nga Atlanta, Xhorxha dhe qëllova historinë e një vajze adoleshente me syze e cila ka organizuar një event ku të gjithë që kanë syze optike të përdorura në gjendje të mirë mund t’i dhurojnë për fëmijët nga familje të varfëra që kanë nevojë për syze. Redaksia e lajmeve të WSB-TV2 e mbështet me një kronikë në lajme dhe me lidhje Live nga terreni.
Në gazetari këto quhen “human interest stories” dhe ndërsa nuk prodhojnë aq klikime sa vrasjet, shërbejnë për të përçuar te teleshikuesit ndjenjën e komunitetit, të së mirës e të asaj që është njerëzore dhe e bukur, e që duhet mbështetur.
Histori si kjo ka edhe në Shqipëri, por rrallë, thuajse kurrë, nuk zënë vend në lajme. “E ç’lajm është ky?” – do përgjigjeshin në kor shumë nga gazetaria e kohës që po jetojmë. Këto histori kërkojnë më shumë punë, imagjinatë, aftësi për të gjetur trëndafilat mes ferrave. Krimi dhe droganga ana tjetër janë frut që të varet tek goja. Gjithkush mund ta lexojë një deklaratë policie. Dhe kështu emrat e kriminelëve më të zinj na janë bërë si emrat e të afërmve tanë.
Gjej që edicionet janë të mbushura me emra kriminelësh, lidhjet direkte janë nga skenat e krimeve. Flitet për përdhunime, vdekje, vrasje, vdekje, drogë, vdekje, përdhunime, gjak, korrupsion, vdekje, vetëvrasje, vdekje. Ankth, stres, frikë.
Po Shqipëria e mirë pse injorohet? Ku janë shembujt e sakrificës, dhurimit, mirësisë? Pse lajmet mbjellin të tillë terror që deformon realitetin? PS. Nuk po them se krimet nuk duhen raportuar. Por jo të mbushin çdo edicion, fund e krye me makabritete – jam i bindur se edhe kjo po i çmend njerëzit, duke stresuar panevojshmëtisht e papërgjegjshmërisht shëndetin mendor të shikuesve. Pa e kuptuar, po normalizohen, po imitohen nga ngjarja në ngjarje. Por veç tyre, në Shqipëri ka edhe ngjarje të mrekullueshme, pa gjak, pa sëpata, pa makina që digjen pas atentatesh. Por shqisa, dëshira, vullneti për ta pasqyruar të mirën midis nesh është mbuluar nga lehtësia e papërballueshme e krimit. Madje jo vetëm edicionet e lajmeve. Tanimë edhe dyshemetë në studiot “prime time” duhen larë nga gjurmët e gjakut në fund të programit. / Marrë nga Instagrami i autorit