Mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 23:30, në pronën e ish-kryetari i komunës së Zubin Potokut, Stevan Vulloviq është hedhur një mjet shpërthyes. Kryetari i kësaj komune, Izmir Zeqiri tha se këto veprime të grupeve kriminale serbe të dirigjuara nga Serbia janë tendencë për frikësim ndaj serbëve të cilët e kanë pranuar realitetin në veri të vendit. Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.
Prona e ish kryetarit të Komunës së Zubin Potokut, Stevan Vulloviq u sulmua në orët e vona të së mërkurës.
Shpërthimi po dyshohet që u bë nga grupe kriminale serbe që po i binden Beogradit.
Këto pretendime i dha, kryetari aktual i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.
“Ajo pronë është e ish-kryetarit të komunës së Zubin Potokut duket se është një objekt afarist, më duket se është një hotel i planifikuar për tu ndërtuar nuk është afër shtëpisë ku banon ai mirëpo, është në largësi dhe prona është e tij. Unë besoj se këto mbeturina të grupeve kriminale duke ju bindur propagandave të ashpra që vinë nga Serbia por edhe ata udhëheqës të tyre”, tha Zeqiri.
Zeqiri thotë se këto grupe kanë për tendencë, frikësimin e atyre të cilët e kanë pranuar realitetin, por edhe ngritjen e tensioneve.
“Është një tendencë për ngritje të tensioneve, më shumë do të thosha është tendencë për t’i frikësuar sepse ata e kanë vërejtur se njerëzit vet serbët qytetarët e rëndomtë nuk gjejnë përkrahje tek ta”, tha ai.
Për këtë rast, policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet.
“Mbrëmë rreth orës 23:30, ka ndodhur një shpërthim në një ndërtesë e cila ka qenë e pabanuar dhe e pandërtuar në tërësi, çfarë e ka shkaktuar atë nuk e dimë eksplodimin, kjo do të përcaktohet nga ekspertë të fushës. Sidoqoftë dëme materiale ka por nuk ka lëndime në njerëz. Për motivin njëherë nuk mund të flasim mirëpo njësitë adekuate policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ne jemi duke u marrë me rastin”, tha zëvendësdrejtori i policisë së veriut, Veton Elshani.
Ndërkohë, para tre javë Vulloviq u takua me kreun e Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqirin.
Ditë më parë një mjet shpërthyes është hedhur edhe në një pikë karburanti në komunën e Zveçanit, ku si pasojë e shpërthimit u dëmtuar vetura e lokale afariste.