Platforma ‘Signal’ që njihet si më vështirë e përgjueshme, ka qenë forma më e shfrytëzuar për komunikim ndërmjet koordinatores së komiteteve në Vetëvendosje, Dejona Mihalit, dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Gazeta Nacionale ka raportuar se kur në Kosovë kishte shpërthyer skandali për përfshirjen e ambasadorit Martin Berishaj në dallaveret me rrymë nëpërmjet kompanisë GEN, shqetësimi duket se ishte prezent në figurat e larta të Vetëvendosjes.
Në komunikimet që i ka siguruar Nacionale ndërmjet Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit, del se Mihali e përcillte me vëmendje secilin raportim për këtë skandal energjetik. Ato, ia përcillte ish-kryeshefit të KEK-ut.
Madje, në njërën prej bisedave, Mihali e informon Nagip Krasniqin për shkrimet e mediave se kompania GEN e lidhur me Martin Berishajn, kishte përfituar 4.2 milionë euro gjatë kohës së krizës energjetike.
Para këtij raportimi, dorëzohet edhe Nagip Krasniqi i cili e konfirmon se“pak a shumë është i vërtetë”.
Foto
Mihali ia ka dërguar Krasniqit linkun e portalit Reporteri, përderisa reagimi i Nagip Krasniqit ishte i menjëhershëm.
“Pak a shumë e vërtetë”, thuhet në përgjigjen e Nagip Krasniqit, në bisedat të cilat i ka siguruar Nacionale.
Ajo që mbrohej me kërshëri nëpër media nga zyrtarët e pushtetit, del se nuk amnistohej edhe në komunikimet private.
Pra, Nagip Krasniqi, në bisedat private, ia konfirmon Dejona Mihalit, se përfshirja e Martin Berishajt në kompaninë GEN dhe përfitimet që kjo kompani ka marrë nga Kosova, janë “pak a shumë të vërteta”.
Bisedat për këtë temë, nuk ndalen.
Foto
Pas artikullit të parë, Dejona Mihali ia dërgon Nagip Krasniqit një deklaratë të Ramush Haradinajt, i cili kërkonte llogari nga Albin Kurti për skandalin me rrymë ku ishte i përfshirë Martin Berishaj.
Kjo nuk u përcoll me ndonjë reagim nga Nagip Krasniqi.
Në një tjetër shkëmbim mesazhesh në ‘Signal’, Dejona Mihalit e njofton Nagip Krasniqin për komisionin hetimor, dhe importin e rrymës.
Biseda
“A je duke i ndjekur? Po sulmojnë për komisionin hetimor dhe për importin”, ia shkroi Dejona Mihali.
“Jo. Skam nerva”, ia ktheu Nagip Krasniqi.
Dejona Mihali, komisarja e VV-së, më pas vazhdon me kërkesa të qarta duke kërkuar shpjegime.
“Na nevojiten shpjegimet. Jo vetëm ne, por edhe Artanes”, thuhet në mesazhin e Mihalit.
“Dërgoni pyetjet”, ishte mesazhi tjetër i Nagip Krasniqit.
“Si urdhëron” ia kthen Mihali, mesazh i cili përcillet me pak humor “hahaha” nga Nagip Krasniqi.
Foto
Se Dejona Mihali ishte e përfshirë në secilin detaj e secilin veprim që ndërmerrej brenda KEK-ut, e konfirmon edhe një tjetër mesazh.
Mihali ia përcjell Krasniqit një link i cili flet për kryetarin e Sindikatës së KEK-ut. Aty, Mihali e pyet Nagip Krasniqin nëse kanë kontakte me këtë person.
“A mbani kontakte me këta a hiç”, pyet Mihali.
Për këtë përfshirje të Mihalit, ajo ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Pas intervistimit, Mihali kishte deklaruar se “u ftua për ta zbardhur të vërtetën”.