Policia e Tiranës në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka arrestuar 22-vjeçarin Endri Xhaferri.
22-vjeçari, banues në Tiranë merrte fotografi dhe video nga persona të ndryshëm dhe i postonte në profile false të cilat i hapte në rrjetet sociale me qëllim fitimin e parave.
Policia njofton se ështe një ngjarje e vjetër dhe është zbuluar tani. Sipas njoftimit 22-vjeçari Endri Xhaferri këto foto dhe video të personave të tjerë i përdorte me shprehje fyese, dhe në këmbim për t’i fshirë ato kërkonte shuma parash, që shkonin deri në 1000 €.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e krimeve kibernetike dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që i kryejnë ato, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “R-13”.
Si rezultat i këtij operacioni u ndalua shtetasi E. Xh., 22 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas merrte fotografi dhe video të personave të ndryshëm në rrjete sociale, të cilat i publikonte në profile false, me shprehje fyese dhe denigruese. Për fshirjen e këtyre postimeve, 22-vjeçari, kërkonte në këmbim shuma parash, që shkonin deri në 1000 €.
Po nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, është autor i disa ngjarjeve të kësaj natyre kriminale, me të dëmtuar që jetojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjatë hetimeve është dokumentuar edhe një ngjarje e vjetër nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo