Lajme

Punëtorët e sigurimit fizik në UP fillojnë grevën, kërkojnë zbatimin e vendimit për pagën minimale

Punëtorët e sigurimit fizik në Univesitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë filluar sot grevën ku kërkuan rritjen e pagës, të cilën aktualisht e marrin nën pagën mesatare të vendit.

Disa punëtore sot u mblodhën para Fakultetit të Filozofisë dhe shfaqën kauzat e tyre me përfaqësuesin e tyre, Arsim Gjinovi, kryetar i Shoqatës së punëtorëve të sigurimit fizik në Univesitetin e Prishtinës.

Gjinovci tha se greva është paralajmëruar qysh dje, por sipas informacioneve të tyre, është arritur një marrëveshje në këtë drejtim por derisa nuk kanë diçka zyrtare, do ta pezullojnë punën.

“E kemi paralajmëruar një grevë qysh dje për shkak të pagave të ulëta, për shkak se nuk është marrë parasysh vendimi i Qeverisë në Rektorat. Sot këtu jemi me disa punëtorë dhe kemi filluar grevën, por sipas disa informatave, marrëveshja është nënshkruar dhe po presim çdo orë ose çdo 10 minuta të konfirmohet marrëveshja me Rektorat. Ne jemi këtu, punën nuk e kryejmë derisa nuk kemi diçka zyrtare”, tha Gjinovci.

Ai bëri të ditur se paga aktuale e këtyre punëtorëve është 368 euro dhe të njëjtit po kërkojnë zbatimin e vendimit të Qeverisë për pagën minimale.

“Pagat punëtorët i marrin 368 euro, ne kërkojmë atë që ka miratuar Qeveria e Kosovës, nuk kërkojmë asgjë më shumë, atë vendim që ka marrë Qeveria, kjo Qeveri që është, kur po ju bie mirë atyre me marrë pagën e 13-të edhe për neve duhet me marrë atë vendim të Qeverisë”, u shpreh ai.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi njoftoi më në detaje lidhur me kërkesat e tyre.

“Sipas informacioneve që kemi ne është nënshkruar rritja e pagës…po e presim dokumentin e kompanisë dhe vendimi do të jetë, paratë për rritjen retroaktive të pagës minimale që do të kenë nga 1 janari, do të kenë në muajin maj që shkoj dhe paga e tyre që nga 1 korriku do të jetë konform të vendimit të Qeverisë së Kosovës”, shtoi Azemi.

Ngase këta po kërkojnë pagën 600 euro, Azemi paralajmëroi se në korrik do të ketë protesta dhe greva sepse sipas tyre, nuk ndalen me pagën minimale.

“Në korrik do të fillojnë protestat dhe grevat sepse nuk ndalemi me pagën minimale. Paga minimale në kushte normale nuk mund të iu jepet puntorëve. Minimumi që kemi paralajmëruar, edhe Rektorati, sa do që ata mund të flejnë mirë një muaj ose dy, pagën për 600 euro nuk heqim dorë dhe muaji korrik do të jetë muaji i vlimit sepse nuk jemi më leckë, jemi fuqi puntore e cila duhet të çmohet, këta nuk kanë ditë më na çmu”, theksoi Azemi.

Nga 1 janari 2026 paga minimale në Kosovë është 425 euro bruto nga 350 euro sa ishte deri në dhejtor 2025. Kurse nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro.

Të Ngjashme