Një nëpunës civil në Britaninë e Madhe ka përfunduar përpara drejtësisë, pasi shfrytëzoi punën nga shtëpia për të mbajtur deri në pesë vende pune njëkohësisht, duke përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 280 mijë paund nga fondet publike.
Kashim Chowdhury, 56 vjeç, u shpall fajtor për nëntë akuza mashtrimi nga Gjykata e Southwark në Londër. Sipas hetimeve, ai kishte arritur të punësohej në institucione të ndryshme qeveritare, duke fshehur faktin se ishte i angazhuar edhe në pozicione të tjera me kohë të plotë.
Në kulmin e skemës, në maj 2023, Chowdhury paguhej për pesë punë njëkohësisht, me një total prej 183 orësh pune në javë, megjithëse java ka vetëm 168 orë. Ai mbante kryesisht pozicione drejtuese projektesh, me paga që arrinin deri në 52 mijë paund në vit.
Dëshmitarët treguan se performanca e tij ishte shumë e dobët, mungonte në mbledhje dhe përdorte leje mjekësore për të menaxhuar angazhimet.
Madje, një përgjegjëse dyshoi se ai kishte përdorur grim për t’u dukur i sëmurë gjatë një videotelefonate, pretendim që 56-vjeçari e mohoi.
Chowdhury deklaroi se vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe përballej me vështirësi familjare për shkak të sëmundjes së nënës. Megjithatë, juria e shpalli fajtor për të nëntë akuzat. Ai është lënë në paraburgim dhe rrezikon deri në dhjetë vite burg.
Ndërkohë, 56-vjeçari përballet edhe me një konflikt gjyqësor me vëllezërit dhe motrën për pronën e nënës së ndjerë. Familjarët e akuzojnë se ka ushtruar presion mbi të për t’i kaluar një pjesë të pronësisë së banesës. Chowdhury i mohon akuzat, ndërsa vendimet për dënimin penal dhe mosmarrëveshjen pronësore priten më vonë.
