
1
Ministria e Ekonomisë ka reaguar në lidhje me shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), duke bërë të ditur se ka analizuar raportet konsultative dhe ka propozuar disa masa për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve.
Në komunikatën e saj, Ministria pranon se shtrenjtimi i energjisë elektrike është i pashmangshëm, por thekson se rritja nuk do të prekë konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kWh, ndërsa ata me konsum më të lartë do të paguajnë më shumë përmes një sistemi me blloqe të reja tarifore.
Ministria përmend disa faktorë që sipas saj kanë ndihmuar në frenimin e shtrenjtimit të rrymës.
Por pavarësisht këtyre, Ministria paralajmëron se faktorët e jashtëm vazhdojnë të krijojnë presion në sektorin energjetik, duke përmendur çmimet e larta të importit dhe rehabilitimin e termocentralit Kosova B, që do të ndikojë në uljen e prodhimit për disa muaj.
Në anën tjetër, Ministria thotë se po investon në zgjerimin e kapaciteteve gjeneruese nga era dhe dielli, vendosjen e baterive për ruajtjen e energjisë, si dhe modernizimin e sistemeve të ngrohjes qendrore në disa qytete.
Në fund, Ministria thekson se me ndihmën e BE-së janë investuar mbi 35 milionë euro në projekte për rritjen e efiçiencës, me qëllim uljen e varësisë nga importi dhe reduktimin e ndotjes së ajrit.
Megjithatë, qytetarët mbeten të shqetësuar për pasojat e shtrenjtimit të energjisë dhe efektin që kjo rritje do të ketë në xhepat e tyre.
Postimi i plotë:
Më 14 mars 2025, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), rregullator i pavarur i sektorit, ka publikuar raportet konsultative lidhur me shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025. Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kanë analizuar raportet dhe trendet në sektor. Komentet dhe sugjerimet tona drejtuar ZRrE-së në konsultim publik përqendrohen kryesisht në dy drejtime: mënyrat se si mund të ulet niveli i propozuar i rritjes; dhe shpërndarja e barrës së rritjes brenda grupeve të konsumatorëve. Në këtë drejtim, konsiderojmë se është e drejtë që rritja të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh dhe të shtohet numri i brezeve (blloqeve) të konsumit për konsumin mbi 800 kWh. Këto, duke marrë parasysh analizat tona të trendeve dhe shpërndarjes së konsumit të cilat i përmbledhim shkurtimisht më poshtë.
Ndërkohë, sigurojmë qytetarët se kemi ndërmarrë dhe jemi duke ndërmarrë çdo veprim të mundshëm për të kufizuar ndikimin në tarifa të konsumatorëve. Në këtë drejtim, disa faktorë të brendshëm kanë ndihmuar në uljen e presionit mbi tarifa:
1. Çmimi i shitjes së energjisë elektrike nga KEK-u nuk është rritur këtë vit, dhe as përgjatë viteve të kaluara. Duke qenë prodhuesi kryesor i energjisë eletrkike në Kosovë, kjo ka konribuuar për të frenuar rritjen e çmimit për qytetarët e bizneset. Gjatë vitit 2024 KEK ka pasur prodhim 7% më të lartë krahasuar me vitin paraprak (sipas të dhënave nga KOSTT dhe KEK).
2. Në vitet 2022-2024 është stabilizuar dhe kthyer mbrapsht edhe trendi i rritjes së sasisë së importit që ishte në rritje që nga viti 2017. Përderisa sasia e importit në Kosovë në periudhën 2017-2021 është rritur mesatarisht 18.1% në baza vjetore (sipas të dhënave nga KOSTT), përgjatë 3 viteve të fundit është ulur mesatarisht për 3.3% .
3. Konsumi i amvisërive, që po rritej me ritme jashtëzakonisht të larta në periudhën (2017-2021), duke rritur edhe nevojën për import, tashmë është stabilizuar. Që nga heqja e bllok-tarifës nga ZRrE më 2017, amvisëritë rritën konsumin për mesatarisht 7.2% çdo vit, duke rritur edhe nevojën për import. Nga ana tjetër, në 3 vitet e fundit, me zbatimin e investimeve në efiçiencë të energjisë nga Qeveria dhe vendosjen e bllok-tarifës nga ZRrE, konsumi i amvisërive është rritur për më pak se 0.2% mesatarisht. Madje, kjo përkundër kyçjes në sistem të 63 mijë shtëpive e banesave të reja.
4. Megjithatë, të dhënat e disagreguara tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e konsumit gjatë dimrit vjen nga një përqindje e vogël e konsumatorëve. Për shembull, në nëntor 2024, 12% e amvisërive (me konsum mbi 1000 kWh) kanë konsumuar 39% të energjisë elektrike të gjithëmbarshme; ose, në janar 2025, 9% e konsumatorëve (me konsum mbi 2000 kWh) kanë konsumuar 29% të energjisë së gjithëmbarshme elektrike, dhe më shumë se të gjithë konsumatorët që kanë shpenzuar nën 800 kWh së bashku (sipas të dhënave nga furnizuesi).
5. Konsumi i bizneseve në treg të rregulluar është rritur mesatarisht për 6.5% në tri vitet e fundit, që reflekton aktivitet të shtuar ekonomik në vend. Me rritjen shumë më të shpejtë të konsumit të bizneseve, dhe me konsum stabil të amvisërive, pjesëmarrja e bizneseve ka në konsumin e energjisë elektrike në treg të rregulluar ka arritur rekordin 38%, nga 31.9% e 32.9% sa ishte në vitet 2020-21.
Megjithatë, përkundër stabilizimit të kërkesës së amvisërive dhe sasisë së importuar, mungesa e serioze në kapacitetet gjeneruese të KEK-ut dhe çmimet e larta të importit paraqesin sfidë për sistemin tonë elektroenergjetik. Në këtë drejtim, janë disa faktorë që kanë ndikuar në rritjen e propozuar të tarifave:
1. Çmimi mesatar i importit gjatë muajve të këtij dimri (tetor 2024-shkurt 2025) ishte mesatarisht 151 Euro/MWh (sipas të dhënave nga HUPX). Për ilustrim, para krizës energjetike (2011-2020) ky çmim ishte 46 Euro/MWh, ndwrsa në vitet 2021-2024 ishte 148 Euro/MWh.
2. Gjatë këtij viti KEK do të fillojë investimet në rehabilitim të TC Kosova B, për shkak të së cilit do të ketë do të ketë ndalje disa-mujore të blloqeve përgjatë periudhës 2025-27.
Investimet në TC Kosova B janë të domosdoshmë për të parandaluar ndërprerje serioze në furnizim. Kontributi juaj sot siguron zgjatje të jetëgjatësisë së termocentralit për 20 vite, prodhim të rregullt dhe ulje të ndjeshme të ndotjes së ajrit dhe varësisë nga importet e shtrenjta. Investimet rrisin kapacitetin e termocentralit për 80 MW dhe prodhimin vjetor për 600 GWh, duke ulur importin për së paku 23 milionë Euro në vit dhe rritur eksportin për së paku 20 milionë Euro në vit.
Modernizimi i sistemit tonë energjetik do të marrë kohë, por ai siguron përfitime afatgjata për ekonominë dhe shëndetin tonë dhe të brezit të ardhshëm. Ndërkohë, kufizimi i nevojës për import të energjisë elektrike përmes rritjes së efiçiencës dhe uljes së konsumit janë thelbësore që këtë periudhë vendi ta kalojë me sa më pak ndikim.
Për këtë qëllim, Qeveria e Republikës së Kosovës, me mbështetjen financiare edhe të Bashkimit Evropian, ka realizuar dhe përkrahur investime rekorde prej mbi 35 milionë Euro në efiçiencë të energjisë përgjatë viteve të fundit. Në vitet e ardhshme do të rriten edhe më shumë investimet në efiçiencë, investime këto që do të ndodhin paralelisht me rehabilitimet e të dy termocentraleve, ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga era e dielli, bateritë për ruajtjen e energjisë, zgjerimin e rrjetit dhe rritjen e kapacitetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë, dhe në afat të mesëm ndërtimin e sistemeve të reja të ngrohjes qendrore në qytete të tjera.