Mjekët dhe infermierët që duan të blejnë një banesë do të kenë mundësi të aplikojnë për kredi me 0% interes, në kuadër të programit të mbështetjes së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Ministria ka shpallur thirrjen për 70 kredi me 0% interes, ndërsa aplikimet do të hapen më 27 gusht 2026 dhe do të mbyllen më 25 shtator 2026.
Programi synon të mbështesë profesionistët e shëndetësisë në blerjen e banesës së tyre, ndërsa aplikimet do të kryhen online përmes portalit e-Albania. Sipas kritereve të përcaktuara, përfituesit duhet të jenë të punësuar në administratën publike, sipas përcaktimeve të ligjit “Për strehimin social”.
Po ashtu, aplikantët nuk duhet të kenë banesë në pronësi ose në proces legalizimi. Të drejtë aplikimi kanë edhe ata që zotërojnë një banesë, por ajo është nën normat e strehimit të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi. Një tjetër kriter është që aplikanti të mos zotërojë pasuri të paluajtshme apo të luajtshme me vlerë mbi gjysmën e vlerës së banesës që do të blihet me kredinë e lehtësuar.
Gjithashtu, nuk mund të përfitojnë personat që janë përfitues të programeve të tjera të strehimit social. Ministria fton të gjithë mjekët dhe infermierët që plotësojnë kriteret të aplikojnë brenda afatit, duke nisur nga data 27 gusht deri më 25 shtator, përmes portalit e-Albania.
