Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e pestë, në formë elektronike, ku ka miratuar një varg vendimesh, programesh dhe projektligjesh.
Në këtë mbledhje është miratuar Programi i Projektligjeve të Qeverisë për vitet 2026–2028, si dhe Projektligji për Regjistrimin e Bujqësisë.
Sipas njoftimit, ky projektligj “rregullon organizimin dhe zbatimin e Regjistrimit të Bujqësisë në territorin e Republikës së Kosovës”, duke përcaktuar autoritetin kompetent, organet dhe strukturat e përfshira, si dhe procedurat dhe metodologjinë për mbledhjen, përpunimin, ruajtjen, mbrojtjen dhe publikimin e të dhënave statistikore.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Komisionit Qendror për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në të mirat materiale nga ndikimi i fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent.
Po ashtu, është miratuar vendimi për themelimin e Komisionit për përzgjedhjen e tre kandidatëve për anëtarë të jashtëm të Bordit të Pavarur për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit të Tregut.
Në mbledhje është miratuar edhe Koncept-dokumenti për Fushën e Akreditimit.
“Dokumenti kontribuon në zhvillimin e infrastrukturës së cilësisë, standardizim, metrologji, akreditim dhe vlerësim të konformitetit, e cila paraqet një element kyç për funksionimin e tregut të brendshëm, rritjen e besueshmërisë së produkteve dhe lehtësimin e qasjes në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Sipas Qeverisë, dokumenti është gjithashtu në linjë me obligimet që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian, përkatësisht përafrimin me acquis të Bashkimit Evropian në fushën e akreditimit, në kuadër të kapitullit për lëvizjen e lirë të mallrave.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për rialokimin e mjeteve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, në nënprogramin “Projektet e Bashkëfinancimit me Kuvendet Komunale”, nga kategoria e shpenzimeve “Investimet kapitale”.
Rialokimi bëhet nga projekti kapital “Programi i Bashkëfinancimit me Kuvendet Komunale” në një projekt të ri kapital, në përputhje me Memorandumin e mirëkuptimit për projekte kapitale, të nënshkruara nga ministri i Infrastrukturës dhe Transportit dhe kryetari i komunës përkatëse.
Në mbledhje është miratuar edhe Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike në Kosovë 2026–2027, si dhe Programi Vjetor 2026 për Rezervat Shtetërore të Mallrave.
Qeveria ka miratuar gjithashtu Projektligjin për Efiçiencë të Energjisë.
“Me këtë ligj përcaktohet korniza ligjore gjithëpërfshirëse e nevojshme për promovimin dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, projektligji përcakton objektivat e politikave kombëtare, masat dhe caqet për efiçiencë të energjisë dhe i kontribuon kursimit të energjisë, sigurisë së energjisë, mbrojtjes së mjedisit dhe luftimit të varfërisë energjetike.
Në fund, është miratuar edhe kërkesa e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, e datës 1 tetor 2026, për konfirmimin e interesit të përgjithshëm publik në ushtrimin e aktiviteteve përkatëse nga Ndërmarrja Publike “Trepça” Sh.A.
