Lajme

Qeveria Rama bën gati “ligjin e ri” për pagat, kush merr rrogë mbi 700 mijë lekë do të …

Individët me paga bruto mbi 700 mijë lekë në muaj do të përballen me një normë më të lartë tatimi mbi të ardhurat, që do të arrijë në 32%, nga 23% që është aktualisht.

Paketa e re fiskale parashikon vendosjen e një shkalle të tretë tatimore për pagat e larta, ndërsa për pagat nga 200 mijë deri në 700 mijë lekë parashikohet lehtësim i barrës tatimore.

Sipas propozimit, për herë të parë do të vendoset një normë marxhinale tatimore prej 32% për pagat bruto mbi 700 mijë lekë në muaj, që korrespondon me një bazë tatimore vjetore mbi 8,040,000 lekë, pas aplikimit të zbritjes tatimore.

Norma e re prej 32% do të zbatohet vetëm mbi pjesën e të ardhurave që tejkalon pragun e përcaktuar dhe jo mbi të gjithë pagën. Aktualisht, të ardhurat mbi kufirin e fashës së parë tatohen me normën 23%, pa një shkallë të tretë për pagat më të larta.

Në relacionin shoqërues të ndryshimeve, Ministria e Financave argumenton se vendosja e shkallës së tretë synon forcimin e progresivitetit të sistemit tatimor, duke e lidhur barrën fiskale me aftësinë paguese të individëve.

Ndërkohë, për pagat më të ulëta se 700 mijë lekë parashikohet lehtësim i tatimit, përmes rritjes së kufirit të fashës së parë tatimore. Aktualisht, norma 23% zbatohet mbi pjesën e pagës bruto që tejkalon 200 mijë lekë në muaj. Me ndryshimet e propozuara, ky prag do të rritet në 300 mijë lekë, duke zgjeruar fashën e të ardhurave që tatohen me normën 13%.

Për pagat bruto nga 300,001 deri në 700,000 lekë në muaj, norma marxhinale e tatimit do të jetë 23%. Sipas relacionit, kjo ndërhyrje synon lehtësimin e barrës tatimore për shtresën e mesme dhe profesionistët e kualifikuar, ndërsa individët me të ardhura më të larta do t’i nënshtrohen një norme më të lartë tatimore.

Të Ngjashme